Prokuroria e Matit ka kërkuar nga gjykata dënimin me 4 vite burg të ish-kryetarit të komunës Lis, Agim Selita.
Ai akuzohet për shpërdorim detyre. Në dosjen e bërë publike nga organi i akuzës thuhet se Selita në bashkëpunim me 6 zyrtarë të tjerë ka realizuar prokurim publik për blerje boje kur komuna nuk kishte printer. Gjithashtu ai ka blerë për vete për vetëm 125 mijë lekë një makinë të komunës e cila ishte blerë nga komuna me 1.8 milionë lekë. Dëmi i shkaktuar shtetit arrin në 10 milion lekë të reja. Njoftimi i Prokurorisë Mat: Prokuroria e Matit kërkon dënimin me 18 vjet burgim për 7 persona, të cilët në momentin e kryerjes së veprave penale të “Shpërdorimit të detyrës” dhe “Fallsifikimit të dokumentave” kanë qenë në funksionin e kryetarit dhe zyrtarëve të komunës Lis, në Burrel. Kryetari i komunës Lis, i cili ka mbajtur këtë funksion deri në shkrirjen e komunave, Agim Selita, si edhe 6 persona të tjerë, akuzohen nga Prokuroria e Matit se, me veprimet e tyre, i kanë sjellë shtetit një dëm në vlerën e rreth 10 milionë lekëve të reja. Nga hetimi i Prokurorisë, i cili ka nisur pas kallëzimit të bërë nga ana e disa shtetasve, kanë rezultuar, në mënyrë të përmbledhur, këto lloj shkeljesh: Janë kryer pagesa për shërbime publike, të cilat janë tërësisht fiktive dhe nuk ka asnjë punë të kryer Janë kryer pagesa për shërbime të brendshme të komunës, të cilat janë tërësisht fiktive dhe nuk është marrë asnjë shërbim për paratë e shpenzuara Është kryer një procedurë prokurimi publik për blerjen e rreth 160 tonerave bojë printeri, ndërkohë që komuna nuk ka printera.
/ Star Plus TV /