10 SHTETAS KANË HUMBUR JETËN, SHKODRA KA 13 AKSE NJOLLA TË ZEZA. 10 aksidente në një muaj. Ky është bilanci i katër muajve të parë të këtij viti. Për 4 muaj në bazë të të dhënave zyrtare nga drejtoria e policisë të Qarkut Shkodër janë shënuar 40 aksidente rrugore. 10 persona kanë humbur jetën, 12 të tjerë janë plagosur rëndë dhe 32 shtetas janë plagosur lehtë.

Në këtë mënyrë më shumë se dy persona në muaj sipas policisë humbin jetën vetëm si shkak i aksidenteve automobilistike. Në shumë raste shkak i aksidenteve është shpejtësia dhe mosrespektimi i rregullave të qarkullimit rrugor nga shoferët por jo pak problem janë edhe rrugët e Qarkut Shkodër. Sipas të dhënave nga policia aktualisht në të gjithë Qarkun janë 13 akse rrugore që cilësohen si njolla të zeza për aksidentet. Në rrethin e Shkodrës cilësohen si njolla të zeza akset Shkodër- Bushat, Shkodër-Vija e Vrakës, Shkodër-Velipojë, Shkodër-Mjedë, Shkodër-Muriqan dhe Krye Bushat-Mjedë. Në rrethin e Malësisë së Madhe janë njolla të zeza segmented Vija e Vrakës-Koplik-Hani i Hotit ndërsa në rrethin e Pukës problematike janë rrugët Pukë-Fushë Arrës, Hadroj-Qafë Bene, Fushë Arrës-Qafë Shllak, Qafë Mali-Fierzë dhe Qafë Qerret-Qelez. Gjatë këtij 4 mujori të parë të vitit 2015, janë arrestuar në flagrancë 40 drejtues mjetesh për “Drejtim mjeti pa leje drejtimi” dhe “Nën ndikimin e pijeve alkolike”. Nga këto, 12 raste janë në Sektorin e Policisë Rrugore Malësi e Madhe për “Drejtim mjeti pa leje drejtimi” dhe 28 raste në Seksionin e Policisë Rrugore Shkodër. Seksioni i Policisë Rrugore në Pukë nuk ka asnjë rast. Pavarësisht sensibilizimit apo edhe masa disiplinore aksidentet në Qarkun Shkodër vazhdojnë që të jenë një fenomen problematik duke marrë jetë njerëzisht. Jo vetëm për ndërgjegjësimin e shoferëve por një ndërhyrje duhet edhe në infrastrukturë të paktën në 13 segmentet e rrezikshme që janë një burim aksidentesh

Artikulli paraprakPMNZSH: MUNGOJNË HIDRANTËT NË PLAZHIN E VELIPOJËS
Artikulli tjetër“MIRROR” E NXJERR FAVORIZUESE ELHAIDA DANIN