Grupi “Karajfilat që ka Shkodra” festuan 40 vjetorin e themelimit të tyre. Ky grup i vetmi në Shqipëri i këtij lloji, në këtë vit jubile morën pjesë në koncertin e kthyer në traditë tashmë “Ahengu Shkodran” si një prej 7 mrekullive të trashëgimisë tonë kulturore. Ruzhdi Çeka, më i vjetri i grupit “Karajfilat që ka Shkodra” përjetoi emocion ndërsa kujton me nostalgji ish pjestarët që nuk jetojnë më ndërsa tregon se si rrezikoi të shkrihej në vitet e tranzicionit.
Në këtë mbrëmje të “Ahengut Shkodran” në muzeun historik “Oso Kuka” në ditën kombëtare të trashëgimisë kulturore, grupit iu bashkua edhe një prej pjestarëve të parë të “Karajfilat që ka Shkodra” Luigj Alija i cili thotë se në 40 vite ky grup dha një kontribut të madh artistic.
Bardhyl Hysa, drejtori artistik i koncertit “Ahengu Shkodran” thotë se kjo muzikë tradicionale duhet të shpërndahet tek brezat e ri të cilët nuk i njohin më këngët e vjetra popullore.
Formacioni popullor “Karaifilat që ka Shkodra” u themelua në verën e vitit 1983 nga ideatori Nesret Kastrati dhe arkitekti i këtij grupi Tahir Kastrati. Ishte hera e parë që një grup i përbërë prej 10 burrash do të hynin në historinë e Shkodrës dhe Shqipërisë. Grupi “Karajfilat që ka Shkodra”, për 40 vite me radhë, jo vetëm mbajti gjallë traditën e këngës shkodrane, por e pasuroi dhe e trashëgoi edhe me këngëtarë të rinj, që edhe sot e kësaj dite janë pjesë e këtij grupi. Koncerti “Ahengu Shkodran” shënoi edicionin e 11-të ndërsa mban në repertor mbi 700 këngë të vjetra popullore që janë një vlerë për trashëgiminë kulturore jomateriale të Shqipërisë.