Ministri i Brendshëm Fatmir Xhafaj ka deklaruar se në hetimet për shkatërrimin e organizatës kriminale në Itali një ditë më parë, ka bashkëpunuar edhe Policia Shqiptare.

Gjatë fjalës së tij në Parlament në seancën e sotme, Xhafaj deklaroi se arrestimi i 42 anëtarëve të bandës kriminale është rezultat i një hetimi 2-vjeçar të autoriteteve italiane dhe shqiptare.

“U deshën dy vjet hetime intensive dhe një punë voluminoze e përbashkët për të dërguar para drejtësisë mbi 40 anëtarë të organizatës kriminale. Më shumë se gjysma e tyre ishin shtetas italianë”, u shpreh Xhafaj.

Një ditë më parë, në Itali u arrestuan 19 shqiptarë, 22 italianë dhe 1 rumun, pjesë e një organizate kriminale që trafikoi 2.3 drogë nga Shqipëria në Itali.

Ministri i Brendshëm paralajmëroi se gjatë ditëve në vijim do të ketë të tjera operacione dypalëshe për shkatërrimin e organizatave kriminale ku bëjnë pjesë edhe shqiptarë.

Fatmir Xhafaj foli gjithashtu edhe për akuzat e opozitës në lidhje me sekuestrimin e 613 kg kokainë në Portin e Durrësit. Sipas ministrit, partnerët ndërkombëtarë të Shqipërisë janë habitur kur kanë dëgjuar se deputetë opozitarë deklaronin se Policia Shqiptare nuk pati rol në kapjen e sasisë rekord të kokainës.

“Partnerët tanë janë të çuditur se si kolegët opozitar e atribuuan kapjen e kokainës. I bëni këto akuza në kushtet kur partnerët japin vlerësimet maksimale për agjencitë shqiptare ligjzbatuese. Ata që po e bëjnë këtë punë kanë qëlluar të jenë njerëz që ju jeni shprehur publikisht në mbështetje të tyre.

Nëse keni dicka për të thënë, e keni të hapur derën e Prokurorisë së Krimeve të Rënda. Ju hodhët akuza për ne, që sipas jush ishim porositësit e kokainës nga Kolumbia. Por po ne ua prishëm planet atyre sepse e kapëm. E paimagjinueshme për një logjike normale”, deklaroi ministri i Brendshëm Fatmir Xhafaj.

Artikulli paraprakRREFIM – ISMET BELLOVA
Artikulli tjetërKRYQI I KUQ NDIHMA NË DAJÇ