Mbi 45 mijë shtetas kanë hedhur dorë nga shtetësia kosovare që nga shpallja e pavarësisë e deri më sot. Ky fakt është bërë i ditur nga shifër Ministria e Punëve të Brendshme kosovare.
Udhëheqësi i Divizionit për Shtetësi në MPB, Liridon Neziri tha se nga viti 2009, rreth 5 mijë persona për çdo vit kanë hequr dorë nga shtetësia e Republikës së Kosovës. Sipas Nezirit, për arsye se disa vende të Bashkimit Evropian ku jetojnë qytetarët e Kosovës nuk lejojnë dy shtetësinë.
“Mbi 45 mijë persona kanë hequr dorë nga shtetësia e Republikës së Kosovës, flasim në total, nga viti 2009 deri në këto momente kur po flasim.
Kjo nuk ndërlidhet asgjë me trendët e fundit të personave që dëshirojnë të jetojnë në një shtet të Bashkimit Evropian, por lidhet kryesisht me emigracionin që ne kemi pasur ndër vite dhe me personat që tashmë kanë krijuar një bazë në shtetet e BE-së.
Janë integruar atje dhe dëshirojnë të jetojnë atje. Kjo nuk ndërlidhet as me procesin e liberalizimit të vizave për lëvizjen e lirë, por thjesht me procesin e shtetit që nuk është pjesë e Bashkimit Evropian.
Duke pasur parasysh se Kosova ka emigracion jashtëzakonisht të madh në vendet e Bashkimit Evropian, kryesisht në Gjermani, Austri apo edhe në vendet skandinave. Sa i përket humbjes së shtetësisë së Kosovës prijnë kërkesat nga Gjermania.
Ky numër mundem me thënë se është relativisht i madh për arsye se këto shtete nuk lejojnë dy shtetësi, atëherë qytetarët tanë që tashmë janë integruar në këto vende të Bashkimit Evropian, zgjedhin që ta mbajnë shtetësinë e këtyre vendeve”, deklaron Neziri.