Prej rreth 3 muaj e gjysëm 5 lagjet e Shkodrës apo 5 rajonet siç janë njohur më përpara janë pa kryetarët e tyre.
Drejtuesit e mëparshëm të lagjeve vazhdojnë që të jenë në detyrë pa ditur se cili do jetë fati i tyre. Në buxhetin e 2017-ës që u miratua me 30 janar të këtij viti në këshillin bashkiak, prefektura e qarkut Shkodër la disa vërejtje dhe ktheu mbrapsht disa pika. Një prej tyre ishte edhe pagave e kryetarëve të lagjeve të cilët sipas ndryshimeve të reja përfitojnë një shumë më të madhe nga sa ka qenë më përpara si drejtues të rajoneve. Prefektura nuk ka qenë dakord duke kërkuar se cila është baza ligjore për të cilën bashkia mbështetet për të dhënë paga më të larta për kryetarët e lagjeve.
Kjo pikë të cilën e ka kthyer prefektura nuk është kaluar më në këshillin bashkiak të Shkodrës për miratim por bashkia i është drejtuar Agjencisë për Zbatimin e Reformës Territoriale dhe Ministrisë të Pushtetit Vendor në lidhje me këtë problem. Pas shqyrtimit të bërë, agjencia dhe ministria përkatëse kanë kthyer përgjigje pozitive duke thënë se pagat e parashikuara në buxhetin e 2017-ës për kryetarët e lagjeve janë brenda ligjit. Pas kësaj përgjigjeje ende nuk asnjë lëvizje tjetër nga kryebashkiakja Voltana Ademi për ta kaluar tashmë në këshillin bashkiak çështjen e kryetarëve të lagjeve për miratim.
Për shkak të kësaj situate deri diku burokratike të krijuar, 5 lagjet në Shkodër prej afro 3 muaj e gjysëm janë pa drejtuesit e tyre. E gjitha kjo ka ardhur edhe pas ndryshimit të emrit nga rajone në lagje çka do të thotë se drejtuesit duhen emëruar edhe njëherë qoftë ata që kanë qenë apo të tjerë. Mbetet ende enigëm nëse do vijojnë të jenë të njëjtët emra që kanë drejtuar deri tani lagjet apo do të zëvendësohen nga persona rinj.
Ajo që kërkohet është të veprohet sa më parë për ta zgjidhur këtë situatë në mënyrë që vetë punonjësit në 5 lagjet apo edhe komunitetet e tyre që përfaqësohen aty të dinë se cilët do jenë drejtuesit e tyre, jo vetëm për shërbimet që marrin por edhe adresimin e problematikave të ndryshme që mund të kenë.