Pesë subjekte kanë fituar tenderin në bashkinë Shkodër për shfrytëzimin e pyjeve në ato parcela të miratuara edhe nga ministria e mjedisit.
Tashmë ka filluar edhe shpërndarja e druve të zjarrit në pikat e shitjes. Një gjë të tillë e bën të ditur drejtori i policisë pyjore Mark Ndou. I pyetur nëse është pak ironike që drutë e zjarrit të sigurohen tani kur po vjen pranvera, Ndou shprehet se janë 7 mijë metër të cilat qytetarët do të kenë mundësi t’i përdorin dimrin e ardhshëm, pra në fund të këtij viti dhe fillimin e vitit 2018. Parcelat do të shfrytëzohen vetëm për pastrimin e tyre ndërsa nuk do të lejohet prerja e paligjshme e pyjeve sepse moratorium vijon që të jetë në fuqi. Çmimi i druve të zjarrit pritet që të njohë një rritje sepse një sasi vjen nga Mali i Zi ndërsa tashmë kostoja për subjektet që bëjnë pastrimin e parcelave është më e madhe çka mund të sjellë një çmim më të shtrenjtë për ata që do kërkojnë të ngrohen me dru.