Policia e Durrësit ka vënë në pranga dy persona, pasi tentuan që të korruptonin punonjësit e policisë.
Mësohet se të arrestuarit janë Vangjel Bardhin, 21 vjeç, banues në Tiranë dhe Tofik Shehu, 25 vjeç, banues në Peshkopi. Burime nga policia theksojnë se Bardhi, më datë 25 janar, rreth orës 20:30, në Terminalin e Pasagjerëve në Portin Detar të Durrës, ka tentuar të korruptojë punonjësin e policisë duke i futur në brendësi të pasaportës 50 euro, me qëllim për të kaluar kufirin, pasi kishte kaluar ditët e qëndrimit në zonën Schengen. Ndërkohë, Shehu, më 25 janar, rreth orës 21:00, në Terminalin e Pasagjerëve në Portin Detar Durrës ka tentuar të korruptojë punonjësin e Policisë Kufitare duke i futur në brendësi të pasaportës 20 euro, me qëllim për të kaluar kufirin pasi ishte deportiv në zonën Schengen. Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës, për veprime të mëtejshme për veprën penale “Korrupsioni aktiv i personave që ushtrojnë funksione publike”.