542 persona tentuan të vrasin veten në 2016,227 kane humbur jeten

 

Plot 542 persona kanë tentuar të vrasin veten gjatë 2016-s, ku 227 prej tyre kanë humbur jetën. Janë këto shifrat e frikshme të bëra publike nga Policia e Shtetit. Në konferencën Shkencore “Depresioni dhe Vetëvrasja”, drejtuesit e Policisë dhe Ministria e Brendshme kërkojnë që të parët të jenë policët, ata të cilët duhet të ndërgjegjësohen. Drejtori i Policisë Haki Çako ngriti edhe shqetësimin e tentativave të vetëvrasjes brenda radhëve të policisë, për shkak të stresit në punë. “Megjithëse tre vitet e fundit në vendin tonë ka patur një tendencë në rënie të numrit të vetëvrasjeve, gjithsesi ky numër mbetet i lartë.Vetëm vitin e fundit janë evidentuar 227 vetëvrasje dhe 315 tentativa vetëvrasje. Kontributi i kësaj konference do të ndihmojë për një njohje më të thellë të fenomenit dhe një qasje shkencore për trajtimin. Shpresojmë që përmes një analizë të thellë, të integruar dhe sintetike kjo konferencë të bëjë një skanim të plotë të fenomenit duke filluar nga viti 1945. Dukuria e depresionit dhe pse jo edhe ajo e vetëvrasjes po aq sa prek shoqërinë Shqiptare prek dhe punonjësit e organizatës së Policisë. Rastet e punonjësve të Policisë të vetëvrarë janë reale dhe për këtë arsye duhet të mbajmë në vëmendje faktin e theksuar nga studime të ndryshme, se profesioni renditet nga profesionet që prodhojnë nivel të lartë risku dhe stresi e depresioni në raste te caktuara kur oficerët përballen me trauma ose eksperienca të forta”, tha Haki Çako. Synimi i konferencës ishte trajtimi dhe parandalimi i këtyre rasteve nga Policia e Shtetit. Sipas studimit të Policisë së Shtetit, kryesisht vetëvrasjet vijnë për shkak të problemeve financiare tek moshat e mesme dhe të moshuarit, ndërsa tek të rinjtë shpesh vetëvrasjet ndodhin për shkak të shkollës apo problemeve me partnerët e tyre.

Artikulli paraprakKANABIS NGA SHQIPËRIA NË KOSOVË, KAPET SASI E MADHE, 12 PERSONAVE NË PRANGA
Artikulli tjetërPROTESTAT NË BOTË PËR DITËN E PUNTORËVE