Gjykata e Tiranës ka dënuar me 55 vite burg në total autorët e vrasjes së Marvi Mihalit në korrik të vitit 2017 për një karikues. Dejvi Bitraj, i riu që ka pranuar vrasjen është dënuar me 19 vite burg, ndërsa bashkëpunëtorët; Eugen Bitraj, Kridens dhe Marsel Alla me nga 12 vite secili. Kridens dhe Marsel Alla janë dënuar në mungesë nga gjykata.
Pas vendimit prindërit e të riut që u vra u shprehën mjaft të irrituar me drejtësinë. Nëna e Marvi Mihait me lot në sy u shpreh ‘Këta gjykatës hoqën paramendimin nga vepra penale dhe lanë vetëm vrasje në bashkëpunim me dashje dhe nuk u bëhet vonë për djalin tim që vdiq. Fatin tim të zi e provofshin gjykatësit në fillim. Kaq kam për të thënë. E provofshin fatin tim të zi te fëmijët e tyre”.
Ndërsa i ati, Pavllo Mihali tha se drejtësinë do ta vendosë me cdo kusht me të gjitha mënyrat vetë. “Turp për Sokol Tomën, Tan Gjermenin dhe Besnik Hoxhën. Mallkimi i djalit im u ndjek, o plehra. Si e ndërrojnë kualifikimin e veprës kur faktet janë të pastra.
Cfarë është kjo drejtësi?! Padrejtësia e gjykatësve sot lëvizi pllakën e djalit tim, por ne do ta ndjekim me cdo kusht, unë do ta vendos drejtësinë me të gjitha mënyrat. 19 vite Devi Bitrajt që më vrau çunin turp e faqe e zezë” deklaroi ai.