Një tragjedi që nuk dihet se kur do të mbarojë ajo që po ndodhë në Athinë, ku zjarret kanë shkaktuar deri tani 60 të vdekur dhe gati 200 të plagosur.
Bilanci është ende provizor ndërkohë që zjarret vazhdojnë të jenë aktive në ditën e dytë dhe zjarrfikësit e kanë të pamundur ti zotërojnë.
Flitet se mes viktimave ka dhe shqiptarë por zyrtarisht ambasada shqiptare në Athinë nuk e ka konfirmuar ende. Zyrtarisht ambasada shqiptare konfirmon për një shqiptar që ndodhet në spitalin e Evangjelizmos në Athinë.
Qeveria shpalli gjendjen e jashtëzakonshme në Atikën Perëndimore dhe atë lindore. Për fat të keq, shumë prej viktimave janë fëmijë, mes të cilëve dhe një foshnje 6 muajshe.
Trupat e pajetë të 26 persona u gjetën në oborrin e një resort në Mati, (Në lindje të Atikës, 30 km larg Athines) pranë njëri tjetrit. Ata mesaduket kanë tentuar të largohen por nuk ia kanë dalë.
“Disa vendbanime janë zhdukur nga harta” tha kryebashkiaku i Rafina Pikermiou, Vangelis Bournos për një media lokale greke. Ndërkohë hetohet pista e zjarrvënies.
Një evakuim masiv është ndërmarrë me anije ushtarake, flotilje apo anije private dhe helikopterë ushtarakë.
Zyrtarët kanë kërkuar dronët amerikanë të vëzhgojnë për lëvizje të dyshimta pasi mësohet se 15 vatra zjarri kanë shpërthyer në të njëjtën kohë në zona të ndryshme pranë Athinës.
Shtëpitë në një kodër janë shkrumbuar të tëra, ndërkohë kryetari i bashkisë i zonës thotë se deri tani janë djegur të paktën 100 shtëpi e 200 makina. Mbi 700 persona janë evakuar me anije ushtarake.
Dyshohet se kanë mbetur viktima tre shqiptare mes tyre një grua. Ambasada po përpiqet të konfirmojë zërat.
Ministri i Mbrojtjes së Qytetarëve, Nikos Toskas i tha agjencisë së lajmeve ANA-MPA në Athinë se “të gjitha strukturat qeveritare dhe forcat shtetërore janë në gatishmëri të plotë, në mënyrë që të mos ketë më viktima dhe të kufizojmë sa më shumë të jetë e mundur zjarrin e jashtëzakonshëm në Kineta”
Duke folur në qendrën operacionale të zjarrfikëseve, ministri la të kuptohet se zjarri i madh në vargmalet Geraneia mund të jetë rezulat i një zjarrvënie dhe se autoritetet do të hetojnë.
“Këto zjarre nuk janë të pafajshme” nënvizoi Toskas duke shtuar se “mbrëmjen e kaluar në të njëjtën zonë ku zjarri shpërtheu sot, kemi pasur dy vatra të tjera të cilat u vendosën nën kontroll menjëherë.
Sa i takon mënyrës si është menaxhuar situata, ministri t ha se zjarrfikësit ishin informuar për flakët në orën 12:03 dhe menjëherë zjarrfikësit, autoritetet vendore i ishin përgjigjur.