Në selinë e PD-së u zhvilluar sot një aktivitet me rastin e 60 vietorit të lindjes së ‘Heroit të Demokracisë’, Azem Hajdari.

‘Sot ne jemi mbledhur këtu për të festuar 60-vjetorin e ditëlindjes së Azem Hajdarit, njërit prej figurave më të shquara në historinë e lirisë së shqiptarëve. Njërit prej tribunëve të lirisë të kombit tonë. Njeriut që me guximin e tij, ia doli të kontribuojë më shumë se kushdo tjetër, në përmbysjen e diktaturës komuniste, ndërrimin e sistemeve, ndërrimin e epokave në Shqipëri. Ditën që e përcollëm në banesën e fundit, nuk vajtuam dhe brohoritëm: Azem, ti je gjallë! Ne jemi sot këtu për t’i thënë Azem Hajdarit se sot je më i gjallë se kurrë.

Takimin tim të parë me Azem Hajdarin e kam pasur më 9 dhjetor 1990. Me Besnik Mustafën, shkuam të bashkohemi me studentët dhe në Rrugën e Elbasanit, një masë prej 700-800 studentë protestonin. Mbi ta ngrihej si lider një djalë, student, bashkëmoshatar me ta, ngrihej mbi supet e tyre dhe brohoriste: Poshtë diktatura, poshtë dinastia, e duam Shqipërinë si gjithë Europën. Për ne që sodisnim, ai ishte një mbinjeri, një legjendë, ai po bënte rrugëve të Tiranës, atë që nuk e kishte bërë kush në një gjysmëshekull.

Shqipëria në vitet 90 nuk ishte e qetë. Shkodra e nisi me demonstratën për heqjen e busteve të satanëve, Kavaja skuqi rrugët e saj me gjakun e të rinjve kundër diktaturës. Heronjtë e 2 korrikut e përmbysën Murin e Berlinit në Tiranë, por shoqëria vazhdonte letargjinë e saj. Nuk i mbështeti, nuk i përkrahu. Dhe ata regjimi i nisi me procesion ushtarak jashtë vendit. Kështu që pas saj, në Shqipëri por jo vetëm, në Europë dhe më gjerë, predominoi mendimi se Shqipëria do mbetej Kuba e Adriatikut, Shqipëria do mbetej kështjella e socializmit, siç e cilësonte regjimi.’- tha Berisha.

Artikulli paraprakPRESIDENTI BEGAJ NË AZERBAJXHAN, MERR PJESË NË FORUMIN NDËRKOMBËTAR NË BAKU! PRITET TAKIM ME HOMOLOGUN AZER ILHAM ALIYEV
Artikulli tjetërCELIBASHI: VENDIMIN PËR REGJISTRIMIN E PD-SË E MARRIM NESËR OSE PASNESËR! BASHËS I MBARON AFATI NË ORËN MESNATË