Me 63 vota pro dhe 27 kundër, ligji për mbetjet kaloi në Parlament pas një seance afërsisht 12-orëshe.

Kuvendi ka miratuar edhe amendamentin e deputetit të LSI-së, Petrit Vasili, për monitorim të këtyre mbetjeve në pikat doganore nga shoqëria civile. Nga mazhoranca kanë votuar kundër 3 deputetë, ndërsa grupi i PDIU-së nuk ka qenë i pranishëm në sallë në momentin e votimit. Kryeministri Edi Rama, duke folur në Parlament u ka kërkuar deputetëve të kalojnë këtë ligj, duke siguruar se ligji nuk ka hapësira për djegie apo varrosje të mbetjeve brenda territorit shqiptar, siç ishte më pare.Ndërsa opozita e konsideroi si një ligj të mafies. Gjatë të gjithë zhvillimit të kësaj seance, përballë godinës së Parlamentit, shoqëria civile ka protestuar duke bllokuar edhe rrugën me kazanë mbeturinash. Për pak minuta në mesditë, ata u përplasen edhe me policinë. Ata e vazhduan protestën e tyre edhe pas miratimit të këtij ligji nga Parlamenti. Sipas përfaqësuesve të shoqërisë civile, importi nga jashtë i mbetjeve urbane do të ndosë edhe më tepër vendin.

Artikulli paraprakSHKODER-VIR PAZAR, PROJEKTI KUFITAR I DËSHTUAR
Artikulli tjetërINAGUROHET QËNDRA SHËNDETËSORE NË DOMËN