Estrada profesioniste e Shkodrës mbushi 65 vjetorin e saj, një trupë e cila në këto 6 dekada dhuroi buzëqeshje pafund për mbarë kombin shqiptar edhe në momentet më të vështira. Në këtë 65 vjetor, regjisori Arian Çuliqi realizoi një dokumentar për mjeshtrin e humorit Paulin Preka, i cili u nda nga jeta para dy vitesh e gjysëm.
Kolegët e të ndjerit Paulin Preka të cilët luajtën në skenë për mbi 40 vite e kujtojnë si një kolos të artit shqiptar.
Paulin Preka në karrierën e tij me estradën profesioniste të Shkodrës por edhe si aktor i dramës në 7 vitet e para në teatër numëron rreth 1 mijë role.
Fëmijët e Paulin Prekës thonë se teatri “Migjeni” për aktorin e madh ishte shtëpia e parë e tij ndërsa kujtimet edhe për ta janë të shumta.
Për Paulin Prekën pas viteve 90’ jetesa ishte e vështirë.
Në një intervistë të tij përpara se të ndahej nga jeta Paulin Preka tregoi se emigrimi në Itali ku jetoi për shumë vite e mundoi shumë. Zemra e tij ishte gjithmonë në Shkodër.
Ky 65 vjetor i estradës së Shkodrës u festua pa praninë fizike të Paulin Prekës por edhe Gëzim Krujës, e sëfundmi Zef Dedës i cili u nda nga jeta. Më 4 shtator të vitit 2021, në moshën 86 vjeçare Paulin Preka u nda nga jeta duke bërë që arti shkodran e shqiptar të humbasë një prej emrave më të shquar të humorit.