650 mijë € drogë – Arrestohen anetaret e grupit, mes tyre 1 shqiptar.

Një grup që merrej me shpërndarjen e lëndëve narkotike është goditur nga policia italiane, duke çuar në pranga edhe liderin e organizatës, Luigi De Cesare, 40-vjeçar nga San Severo. Gjatë hetimeve, është arrestuar më herët edhe një shqiptar, Tafil Lecini, 43 vjeç, i cili i siguronte grupit furnizimin me kokainë dhe heroinë. Operacioni i koduar “Tremujor” përfundoi me goditjen e organizatës, e cila vlerësohet se kishte një qarkullim parash prej 60 mijë eurosh në javë. Grupi merrej me shpërndarjen e drogës në San Berardino Scampia në Napoli, raportojnë sot mediat lokale. Ata janë cilësuar si “tregtarët e vdekjes” nga policia gjatë konferencës për shtyp. Hetimi fillestar ndaj tyre nisi pas vetëvrasjes së Roberto Giuliani më 29 dhjetor të vitit 2015, në fshatin Borgo Celano. Hetimet e mëvonshme zbuluan se Giuliani kishte varësi ndaj heroinës dhe pak momente përpara se të kryente aktin e vetëvrasjes është përpjekur për të kontaktuar njërin prej të arrestuarve. Grupi kujdesej mirë që të mos binte nën duart e policisë dhe për këtë, kishte “shpërndarë” kodet e komunikimit edhe tek blerësit, të cilët shërbenin gjithashtu si informues të pranisë së forcave të rendit, apo shpesh ndryshonin edhe takimet ndryshe nga se i kishin lënë gjatë telefonatave. Gjatë operacionit, policia ka sekuestruar 8 kg heroinë të fshehur nën tokë, nga e cila do të mund të nxirreshin 15.750 doza. Gjithashtu është sekuestruar edhe rreth 1 kg kokainë dhe 90 gramë marihuanë. Vlera e drogës nëse do të shitej në tregun me pakicë do të kapte shifrën e 650 mijë eurove. Policia ka sekuestruar gjithashtu edhe 2 300 euro të ardhura nga aktiviteti i paligjshëm.

Artikulli paraprakVATËR E RE ZJARRI NË MALIN E KRESHPANIT
Artikulli tjetërARTAN LAME RIKTHEHET TE ALUIZNI SHKARKOHET DREJTORI TEKNIK I PD