Pas një seance e cila zgjati rreth shtatë orë dhe u shoqërua me debate dhe replika të forta mes maxhorancës dhe opozitës, shumica parlamentare ka rrëzuar me 74 vota nismën e opozitës për Vettingun në politikë. 52 vota të opozitës kanë shkuar pro nismës për amendamentet kushtetuese.
Pak ditë më parë komisioni i Venecias në opinionin përfundimtar rrëzoi amendamentet e propozuara nga opozita. Duke theksuar se qëllimi i propozimeve është legjitim, Venecia u shpreh se ka boshllëqe në kushtetutshmëri. Megjithatë Venecia ftoi palët për dialog.
Gjatë diskutimeve kryetari i PD, Lulzim Basha kërkoi nga maxhoranca që të votonte amendamentet kushtetuese sot, ndërsa opozita do pranonte çdo propozim të shumicës për të bërë ligjin të zbatueshëm.
Nga ana tjetër kreu i grupit parlamentar të PS, Taulant Balla u shpreh se nisma e opozitës është absurde, pasi procesi i Vettingut bëhet përmes zgjedhjeve dhe drejtësisë.
Balla kërkoi nga opozita të japë votat për reformën zgjedhore në mënyrë që ligji elektoral të miratohet përpara festave të fundvitit, por kjo kërkesë nuk mori dakordësinë e pakicës parlamentare.