RRETH 300 TË MBIJETUARIT E AUSHVICIT, MBLIDHEN NË ISH KAMPIN NAZIST. Rreth 300 të mbijetuar të Aushvicit janë mbledhur në kompleksin e ish-kampit nazist të vdekjes për të shënuar 70-vjetorin e lirimit.

Përkujtimi mbahet tek kompleksi në jug të Polonisë, ku 1.1 milion njerëz, shumica e të cilëve hebrenj, u vranë mes viteve 1940-1945. Ky pritet të jetë përvjetori i fundit madhor që të mbijetuarit do të jenë në gjendje të ndjekin në masë të madhe. Në ceremoni do të jenë të pranishëm krerët e shteteve dhe përfaqësues nga vendet aleate të kohës së luftës. Mes eventeve të ndryshme përfshihet vendosja e kurorave, një shërbim kishtar dhe ndezja e qirinjve në një memorial në ish-kampin e vdekjes Birkenau, që ishte pjesë e kompleksit të Aushvicit. Kampi në fjalë u çlirua nga Ushtria e Kuqe e Bashkimit Sovietik më 27 janar 1945 dhe u hap si muze dy vjet më vonë. Stafi i muzeut lufton prej kohësh për fonde për mirëmbajtjen, edhe pse Fondacion Aushvic-Brikenau deklaroi së fundmi se kishte arritur qëllimin duke siguruar mbi 150 milionë dollarë. Në prag të përvjetorit, kancelarja gjermane Angela Merkel bëri një apel kundër diskriminimit të hebrenjve në Evropën e sotme. “Është një fatkeqësi që hebrenjtë janë poshtëruar, kërcënuar dhe dhunuar në Gjermani. Ne duhet të luftojmë anti-semitizmin dhe të gjitha format e racizmit nga rrënjët e tij”, tha ajo në një eveniment të mbajtur në Berlin.

Artikulli paraprakSTUHIA MASIVE PARALIZON SHBA, SHPALLET EMERGJENCA
Artikulli tjetërLIRIA EKONOMIKE, SHQIPËRIA SHËNON RËNIE