Elly Schlein, drejtuesja e Partisë Demokratike italiane, ka bërë një vizitë surprizë në kampin e emigrantëve në Gjadër, atje ku duhet të akomodohen emigrantët nga vendet e treta, që kapen në brigjet e Italisë, para se të zbarkojnë në tokë.

“Sapo kemi përfunduar vizitën në qendrën që qeveria italiane donte të ndërtonte duke hedhur 800 milionë euro”, shkroi ajo në rrjetet sociale.

Schlein shprehet se qendra është bosh, ndërsa marrëveshje me Shqipërinë cënon të drejtat themelore të njerëzve dhe shkel ligjet italiane dhe europiane.

“Një qendër e zbrazët ku na priti staf shumë profesional nga forca policore, të cilët janë këtu për të vëzhguar sigurinë e një qendre e cila është e zbrazët dhe do të mbetet bosh”, shprehet Schlein.

Opozita në Itali e konsideron si një humbje investimin e realizuar nga Qeveria Meloni në qendrat e pritjes së emigrantëve në Lezhë.

Schlein theksoi se për shkak të ideologjisë kokëfortë të Qeverisë po vazhdohet të shpërdorohen burimet italiane.

Pak ditë më parë ishte ish kryeministri italian Mateo Renzi, pjesë e opozitës, i cili ka propozuar që këto qendra emigrantësh të kthehen në burgje, ku të vuajnë dënimin shqiptarët që sot ndodhen në burgjet italiane.

“Ajo qendër emigrantesh nuk do të funksionojë kurrë. Por tashmë paratë janë shpenzuar. Propozimi im është i thjeshtë: vendosim në qendrën e emigrantëve rreth 2000 të dënuar shqiptarë që sot janë në burgjet italiane. E mbyllim kështu super dështimin. Reduktojmë kostot dhe të mos mbajmë më karabinierë dhe policë në Shqipëri, duhen në itali. Këta agjentë duhen për rrugët tona. Të transformojmë qendrën e emigrantëve në burg për të dënuarit shqiptarë dhe këtë ta bëjmë menjëherë”, shprehej Renzi.

Qendrat e emigrantëve në Lezhë, të ngritura në bazë të marrëshjes mes Qeverive Meloni dhe Rama, do të prisnin emigrantët që do të kapeshin në det, por dy grupet e para të emigrantëve që u transportuan nga mjetet e Guardia Di Finanza, u rikthyen në Itali pas vendimeve të gjykatave italiane.

Artikulli paraprakÇADRAT ME VETE! RESHJET E SHIUT DO MBIZOTËROJNË GJITHË FUNDJAVËN, TEMPERATURAT DHE ZONAT KU DO BJERË DËBORË
Artikulli tjetërPARASHQEVI SIMAKU E PASTREHË NË SHBA, FAMILJARËT: KEMI 5 VITE QË E KËRKOJMË, KA HUMBUR