Pas një operacioni mbikëqyrjeje gjashtëmujore nga Komanda e luftës kundër krimit të organizuar të Policisë Metropolitane, në Londër, drejtësia britanike ka dënuar me 81 vite burg në total, një grup kriminal shqiptar që merrej me importimin dhe shpëndarjen e heroinës dhe kokainës në Angli.

Vlera e drogës së kapur, e jo ajo që mund të kenë trafikuar më herët, shkonte në mbi dy milionë stërlina. Droga vinte në Angli me kamionë me targa maqedonase dhe shoferë shqiptarë të Maqedonisë, të cilët me sa duket ishin në përgjim nga agjencitë ligjzbatuese.

Ata, pasi dorëzonin drogën merrnin mbrapsht edhe sasira të mëdha parash “cash”, në disa qindra mijëra stërlina, produkt të aktivitetit të tyre kriminal.

Pas arrestimeve, dedektivët arritën të kapnin 50 kg drogë të klasit të parë, ndërkohë që gjithçka filloi në janar të vitit të kaluar, kur u pikas shkëmbimi i parë i 7 kg heroine.

Dy nga shqiptarët dhe një anglez, pjesëtarë të rrjetit kriminal, e pranuan fajësinë, ndërkohë 3 të tjerë e sfiduan fajësinë në gjykatë, e cila iu shqiptoi dënime nga 18 deri 22 vite burg.

Kryeinspektorja dedektive e Komandës së krimit të organizuar në Policinë Metropolitane, Samantha Cailes thotë se “dënimet reflektojnë nivelin e kriminalitetit të të pandehurve dhe duhet parë si masë frenuese për ata që janë të përfshirë në importimin dhe shpërndarjen e drogës së klasit të parë në Britani”.

Artikulli paraprakTRANSPORTONIN SIRIANË, ARRESTOHEN DY PERSONA
Artikulli tjetër‘NË SHQIPËRI DO MË VRASIN’, MEDIAT SUEDEZE SHKRUAJNË PËR MARIO MAJOLLARIN