Gjendja në territorin e Bashkisë së Shkodrës paraqet vështirësi në zonat e përmbytura për shkak të shkarkimeve të HEC-eve si dhe në zonat e thella malore ku kalimi bëhet me shumë vështirësi.
Në njësinë administrative Ana e Malit janë të përmbytura mbi 1000 ha tokë. Ka prezencë uji në rrugën e fshatit Obot, 30-50 cm dhe vërehet tendenca e rritjes së nivelit të ujit.Rrugët dytësore në fshatin Obot janë të bllokuara.
Për shkak të shkarkimeve në kaskadën e lumit Drin, përmbytjet e tokave janë shtuar shumë sidomos ditët e fundit dhe mesa vlerësojmë do të vazhdojnë edhe për disa ditë në vijim.Uji i është afruar banesave deri tek shkallët e shtëpive.
Qindra ha toke edhe në Muriqan janë të përmbytura. Sipas prognozave, nëse vijojnë shkarkimet nga hidrocentralet, në fshatin Obot nuk do të mund të kalohet më as me makinat e larta të ushtrisë, por me varka me motor për të bërë të mundur lëvizjen e banorëve.
Ujësjellësi Oblika është përmbytur , pra nuk është në funksion. Si rrjedhojë janë pa ujë të pijshëm rreth 800 banorë.Rrezikon të përmbytet edhe Ujësjellësi Oblika 2.
Sipërfaqet e përmbytura sipas fshatrave në Nj.A. Ana e Malit:
Muriqan – 400 Ha
Oblikë – 290 Ha
Obot – 310 Ha
Në njësinë administrative Dajç janë të përmbytura mbi 330 ha dhe vërehet tendenca e rritjes së tokave të përmbytura. Niveli i ujit ka pësuar rritje me 25-30 cm.Rruga që lidh fshatin Darragjat me Shirq është e bllokuar nga rritja e nivelit të ujit. Kalimi bëhet vetëm me mjete të larta.
Sipërfaqet e përmbytura sipas fshatrave ne Nj.A. Dajç:
Mushan – 35 Ha
Shirq – 85 Ha
Darragjat – 10 Ha
Këneta e Dajçit – 200 Ha
Problem shqetësues paraqiten edhe punimet që po bëhen në rrugën e Velipojës pasi në fshatin Trush janë bllokuar kanalet anësore dhe ka përmbytje të tokave që janë afër rrugës. Ka mbi 20 ha të përmbytura në njësinë administrative Bërdicë.
Në njësinë administrative Gur i Zi konstatohet fenomeni i erozionit në tokat bujqësore. Janë gërryer rreth 3 ha në 800 ml gjatësi që nga darka e kaluar.