Të paktën 90 militantë nga grupi i Shtetit Islamik janë vrarë nga një bombë masive e hedhur nga Shtetet e Bashkuara në Afganistan.
Bomba jo-bërthamore më e fuqishme e përdorur ndonjëherë nga Shtetet e Baskuara në luftë është hedhur në një bazë të Shtetit Islamik në provincën e Nangarhar. Sipas zyrtarëve amerikanë, shpërthimi ka shkaktuar shkatërrimin e një rrjeti tunelesh dhe guvash, ndërkohë që bilanci i vdekjeve është konfirmuar në 90. Më parë, ISIS kishte deklaruar se shpërthimi nuk kishte shkaktuar viktima.
Nga ky sulm nuk mbeti i vrarë asnjë civil, ndërkohë që zyrtarët afganë thonë se gjithçka është kryer në koordinim me qeverinë e cila u kujdes që asnjë civil të mos lëndohej. Sidoqoftë, banorë pranë zonës ku ndodhi sulmi thonë se disa shtëpi kanë mbetur të shkatërruara si pasojë. E njohur si “nëna e të gjitha bombave”, pajisja që u lëshua mbrëmjen e të mërkurës nga një aeroplan transportues MC-130, ra në distriktin Achin të Nangarharit.
Është hera e parë që një bombë e tillë, nga 15 të ndërtuara gjithsej, përdoret në një luftim. Por teksa sulmi është kryer me mbështetje të qeverisë afgane, ish-presidenti i vendit, Hamid Karzai, tha se kjo përfaqëson një “shpërdorim jo njerëzor dhe brutal të vendit si terren testimi për armë të reja e të rrezikshme”. Situata në vend vijon të mbetet e tensionuar, pasi luftimet mes forcave speciale afgane e amerikane dhe ISIS janë intensifikuar në ditët e fundit.