193 milionë euro është dëmi ekonomik i zbuluar nga Kontrolli i Lartë i Shtetit nga auditimet e 2018-ës, ndërkohë ndikimi negativ nga mos arkëtimi i të ardhurave dhe shpenzimet jo eficiente,
llogaritet mbi 1,5 miliardë euro, e ndarë 923 milionë euro në fushën e të ardhurave dhe 587 milionë euro, në fushën e shpenzimeve jo eficente dhe pa efektivitet.
33 titullarë institucionesh, 26 nëpunës të nivelit drejtues dhe persona të tjerë janë ngarkuar penalisht nga KLSh për dëmet e shkatura.
Përveç shpërdorimit të detyrës apo shkeljes së barazisë në tendera, Kontrolli i Lartë i Shtetit ka referuar raste edhe me falsifikim dokumentesh, tregues ky i kryerjes me dashje të dëmit ekonomik.
Sipas KLSh-së, detyrimet e prapambetura vijojnë të jenë problem për financat publike, ndërkohë që deficiti buxhetor është më i lartë se ai që raportohet nga qeveria.
Një pjesë të raportit, Kontrolli i Lartë i Shtetit ia kushtuar problematikës së koncesioneve dhe kontratave të partneritetit publik-privat.
Konstatohet se nuk ka strategji të qartë për përdorimin e këtyre instrumenteve për financimin e nevojave për të mira dhe shërbime.
KLSh identifikon mungesë të theksuar të monitorimit të portofolit të PPP-ve ekzistuese. Konstatohet se Ministria e Financave nuk raporton sipas standardeve ndërkombëtare stokun e borxhit publik, që vjen nga këto kontrata.
Referuar të dhënave aktuale në lidhje me 11 kontratat koncensionare, rezulton se shpenzimet faktike nga buxheti i shtetit rezultojnë në shumën 6,4 miliardë lekëve.
Ndërkohë që projeksionet flasin se në 2021-shin qytetarëve shqiptarë PPP-të do t’u kushtojnë plot 18 miliardë lekë në vit.