Kryetari i PD Lulzim Basha ka përkujtuar 95 vjetorin e lindjes të At Zef Pllumit duke e cilësuar këtë të fundit si një apostull i kthimit të Shqipërisë në gjirin e Perëndimit. Lideri i opozitës thotë se e kemi detyrim të mos bëjmë kompromis me të keqen dhe të nderojnë trashëgiminë që na la Padër Zefi. Ja se çfarë shkruan Basha në 95-vjetorin e lindjes së at Zef Pllumit:
“At Zef Pllumi bashkë me kolegët e tjerë mbijetues kreu rimëkëmbjen madhështore të Kishës, dhe si mësues i mirë ndihmoi qindra të rinj të gjenin rrugën e tyre drejt dijes në ato vite të trazuara. At Zef Pllumi mori nga plejada e shquar e patriotëve klerikë që në vitin 1945 u ndeshën me diktaturën e egër orientale, antikatolike e antikombëtare, amanetin për të qëndruar, për të jetuar e për të dëshmuar epopenë e qëndresës dhe të ringjalljes.
Duke marrë në sy çmimin e gjakut e të martirizimit, ai u mbijetoi 25 viteve të burgut komunist dhe doli më 1990-n, për t’i udhëhequr shqiptarët në rrugën e kujtesës, dijes, moralit e ringjalljes. Qëndresa e At Zef Pllumit në diktaturë ishte madhështore.
Por puna dhe aktiviteti i At Zef Pllumit në liri, pas ’90, ishte frymëzues dhe i pashoq. Kurora e kontributit frymëzues të At Zef Pllumit në tranzicionin shqiptar janë kujtimet e tij, të përmbledhura në veprën “Rrno vetëm për me tregue”.
Nuk shtoj diçka të re, kur përsëris se në çdo shkollë të mesme duhet lexuar vepra e padër Zefit. Ajo rizgjoi nevojën ulëritëse të shoqërisë tonë për të reflektuar, për t’u penduar e për të bërë drejtësi. Ato dëshmi të guximshme na dhanë shembullin se e keqja duhet nxjerrë nga institucionet e shtetit, nga politika, drejtësia e shkollat, pasi bashkëjetesa me të vetëm na pengon në rrugën tonë.
Këtë leksion s’e kemi nxënë mirë, politika sidomos s’e ka nxënë, sepse ajo për 30 vjet, u end mes marrëveshjeve që kanë sjellë një qeverisje korruptive, rritje të varfërisë dhe rikthim në linjën e parë të politikës, ekonomisë e të njerëzve të suksesshëm të hajdutit, dallkaukut, të paaftit dhe këto vitet e fundit edhe në një emulacion të kriminelit, si një njeri i zoti e që vetëm ai bën hajër në këtë vend.
Në 95-vjetorin e Padër Zefit e ndjej me vend të përsëris se nuk do të heshtim dhe nuk do të pranojmë kurrfarë kompromisi me të keqen. E keqja po e shkatërron shoqërinë dhe ne nuk do të reshtim duke e kundërshtuar atë”.
Kreu i PD Basha vijon më tutje duke thënë se Padër Zef Pllumi analizoi qartazi komunizmit dhe katolicizmin duke cituar fjalët e tij:
“Janë dy doktrina krejtësisht të kundërta komunizmi dhe katolicizmi. Ne nuk pranojmë dhunë, baza asht dashunija. Gjithçka me e ba me dashuni, me vullnet, me të mbushun mendjet, me ndërgjegje, ndërsa baza e komunizmit asht dhuna, lufta e klasave dhe tanë marrinat”.
Pasi citon At Zef Pllumin Basha e mbyll duke thënë se luftave e klasave vijon edhe sot:
“Është pikërisht kjo mendësi e marrëzive, e luftës së klasave ndaj punëtorit, ndaj të ndershmit dhe ndaj të drejtit, që po ringjallet sot më shumë se kurrë dhe po rrënon të gjitha arritjet e 30 viteve tranzicion.
Ky regjim që dekoron torturuesin e Padër Zefit, nuk e quan për gjë të nxjerrë nga zyrat shtetërore edhe të fundit përfaqësues të shtresës së të përndjekurve politikë, të inkurajojë mësymjen drejt pushtetit të bijve të etërve xhelatë si dhe të vjedhë vullnetin e shqiptarëve, në mënyrë që të vrasë rotacionin dhe demokracinë.
Këtë mësymje antidemokratike nuk kemi për ta pranuar kurrë. Është një betejë që duhet fituar, që fëmijët tanë, të rinjtë tanë të mos e braktisin vendin, por të rrinë këtu, për të treguar triumfin mbi një të keqe që i pat zënë pritë Shqipërisë në stacionin final të tranzicionit”.