Historia flet vetë. Momentet e vështira, si ky aktual, nuk mund ta eklipsojnë kurrësesi atë që klubi shkodran i ka falur sportit shqiptar. Vllaznia është klubi i parë në Shqipëri, i krijuar 99 vjet më parë dhe që në gjithë këtë rrugëtim e ka shkruar historinë e tij me gërma të arta. Një përvjetor, që e gjen në kushte të vështira, sidomos futbollin, por historia e Vllaznisë është e veçantë në sportin shqiptar.
Në Shkodër sot ka festë, edhe pse futbolli e ndonjë sport tjetër po vuajnë. Festa e madhe jubilare sigurisht që do të jetë një vit më pas, kur shpresohet që klubi shkodran të jetë futur në rrugë të mbarë, duke lënë pas problematikën aktuale. Sot të gjithë i përulen këtij klubi emblematik në Shqipëri dhe me respekt e urojnë: Gëzuar përvjetorin Vllazni!