Dhjetra banorë të Bulqizës dyshohet se u helmuan nga uji i pijshëm.
84 qytetarë mes të cilëve 24 fëmijë janë paraqitur në spitalin e qytetit me simptoma intoksikimi në harkun e 24 orëve të fundit.

Banor: “Prej tre ditësh uji nuk është i pijshëm, nuk konsumohet, ka shije të keqe. Fëmijët i kemi dërguar në spitale por nuk dimë sesi do shkojë kjo punë.”

Helmimi nga uji është dyshimi kryesor edhe për bluzat e bardha, por për shkakun zyrtar do të priten analizat.

Drejtori Hazis Jella thotë se piku i epidemisë ishte mbrëmjen e së shtunës.
Fluksi i pacientëve me shenja helmimi vjen nga lagjja e vjetër e qytetit të Bulqizës ku banorët thonë se linja e ujësjellësit është e amortizuar dhe mund të jetë ndotur nga miniera.

Por Ujësjellësi ka dyshime që kjo situatë të jetë shkaktuar nga uji.
Ndaj për të sqaruar shkakun, ekspertët kanë marrë mostra të ujit që janë sjellë në Tiranë për analiza, ndërsa banorët janë urdhëruar të mos e përdorin ujin që u shkon në cezma.

Në pritje të përgjigjes zyrtare për shkaqet e helmimit, banorët e Bulqizës mbeten në alarm, ndërsa numri i qytetarëve që shfaqin shqetësime vijon të rritet.

Artikulli paraprakVIDHEN MIJËRA EURO DHE DY MAKINA LUKSOZE
Artikulli tjetërAKTORI VETËVARET NË PARK