Ish-ministrja e Mbrojtjes, Mimi Kodheli ka qenë një nga emrat më të lakuar të kandidaturave të propozuar nga grupi parlamentar socialist, për Presidentin e ri të vendit.
E ftuar në një emision televiziv, ajo tha se ndihet e nderuar dhe e mbushur me përgjegjësi nga kjo gjë, ndërsa shtoi se kushdo që do të jetë në krye të atij institucioni duhet të jetë garantues i unitetit kombëtar.
“Kjo është një gjë shumë emocionuese, shumë prekëse, më mbush me përgjegjësi. Besoj që është një gjë që nuk e di nëse e kam merituar, por dua të falenderoj këdo që e ka shprehur këtë dëshirë.
Këdo te grupi parlamentar që ka votuar emrin tim dhe më pas gjërat e tjera do të rrjedhin normalisht. Uroj shumë se kushdo të jetë në krye të vendit, të jetë garantuesi i unitetit kombëtar, i Kushtetutës.
Pa qenë nevoja të themi është grua apo burrë, në fund apo në fillim të karrierës. Sigurisht ti ndihesh baba ose nënë i kombit nëse ke një moshë të caktuar, pasi edhe kufijtë Kushtetutës janë që duhet të jesh mbi 40 vjeç, të kesh disa cilësi që të bëjnë të mundur që t’i përafrohesh atij identikit”, tha Kodheli.
Më tej, ish-ministrja zbuloi se nuk beson që e meriton të jetë në krye të shtetit, ndërsa shtoi se këtë gjë nuk e ka diskutuar me kryeministrin Edi Rama.