Policia e Lezhës ka vijuar kontrollet në qytet me qëllim verifikimin dhe çmontimin e kamerave të vendosura nga grupet kriminale.
NJOFTIMI I POLICISË:
Finalizohet faza e njëmbëdhjetë e planit operacional policor të koduar “Fijet”, të iniciuar nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit, në të gjitha qarqet e vendit.
Çmontohen në Mirditë dhe në Zejmen, Lezhë, 9 kamera të vendosura në kundërshtim me ligjet në fuqi.
Vijojnë hetimet e thelluara për identifikimin e autorëve dhe për dokumentimin e qëllimin të vendosjes së 5 kamerave në Mirditë.
Për 4 kamerat e instaluara në kundërshtim me ligjin, në Zejmen, Lezhë, është inicuar hetimi për një shtetase, për cenim të privatësisë.
Strukturat hetimore të Policisë së Lezhës dhe Mirditës, në zbatim të detyrave të përcaktuara në kuadër të planit operacional mbarëkombëtar të koduar “Fijet”, i iniciuar nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit, si dhe me mbështetjen e inteligjencës informative, për vendosjen e paautorizuar të disa kamerave, në fshatra të Lezhës dhe në Rrëshen, me qëllim sigurimin e informacioneve në kundërshtim me ligjet në fuqi, për qëllime kriminale apo për të monitoruar lëvizjet e Policisë, kanë organizuar punën për evidentimin dhe çmontimin e këtyre kamerave, identifikimin e pronarëve të tyre, si dhe për dokumentimin e plotë ligjor të qëllimit të përdorimit.
-Strukturat hetimore të Komisariatit të Policisë Mirditë kanë çmontuar në rrugën “Vaso Pasha” dhe kanë sekuestruar, 5 kamera të dyshuara të lidhura me celularë të shtetasve të ndryshëm, ende të paidentifikuar. Skuadra të posaçme hetimore, me ekspertë të nivelit qendror dhe vendor, vijojnë punën për identifikimin e autorëve dhe për dokumentimin e qëllimin të vendosjes së këtyre kamerave.
-Strukturat hetimore të Komisariatit të Policisë Lezhë kanë çmontuar në fshatin Zejmen, Lezhë, 4 kamera. Për vendosjen e tyre në kundërshtim me ligjin, janë iniciuar hetimet në Prokurorinë e Lezhës, për shtetasen M. P.
Kamerat e sekuestruara ishin vendosur pa lejen përkatëse të organeve kompetente. Vendosja e tyre është në kundërshtim me ligjin 9887, të datës 10.03.2008 “Për mbrojtjen e të dhënave personale” dhe përbën veprën penale “Ndërhyrje të padrejta në jetën private”, që parashikohet nga neni 121 i Kodit Penal.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Lezhë, për veprime të mëtejshme.