Ish-kryeministri dhe ish-drejtuesi i PD-së, Sali Berisha në një intervistë  tha se nuk mund të mendonte kurrsesi humbjen e kryedemokratit Lulzim Basha në këto zgjedhje, pasi sipas tij do të ishte sikur të gjeje një eskimez në shkretëtirë.

Sipas Berishës, ndaj edhe nuk do të vinte dorëheqja e Bashës.

“Në fakt unë jam njeri që kam qenë i betuar se po i humba qartë zgjedhjet, do largohem. Por kësaj here, të them të drejtën, të imagjinosh humbjen e zotit Basha, është që të gjesh një eskimez në shkretëtirë, është e pamundur. Kaq e sigurt është fitorja, sa që nuk ja vlen ta komentojmë. Për të mos përdorur dy herë një shembull është sikur të kërkosh rrethin në katror. S’mund të ndodh ajo kurrë! Edi Rama ka probleme dhe duhet të përgatitet. PD është parti kombëtar, Edi Rama është figurë antikombëtare. S’mund të ketë koalicion me të.”, tha Berisha.

Sa i takon të larguarve nga PD-ja, Berisha tha se kjo parti iu ka bërë ftesë ish-demokratëve, siç janë Jozefina Topalli apo Astrit Patozi.

“Të gjithë kanë pasur ftesë nga PD-ja, por ata kanë refuzuar. Edi Rama duhet larguar që më parë nga pushteti. Thirrja ime është që të fitojnë PD-në dhe vetëkuptohet që çdo votë të shkojë për këtë parti. Me bindjen më të madhe se kjo është rruga e sigurt për të larguar Edi Ramën.”, tha ai. Mes të tjerash Berisha bëri dhe një parashikim të mandateve që mund të fitojë PD. “PD mendoj se është në rrugën e drejtë për të dalë forca e parë politike në vend. PD do të qeveris në përputhje me marrëveshjen që ka firmosur me aleatët e saj. Unë e shoh plotësisht të mundshme. Nuk nisem nga sondazhet, por ndjesitë. E patë se me çfarë entuziazmi u prit Basha në Kavajë.”, pohoi ai.

Berisha e mbylli intervistën e tij me një këshillë për Bashën dhe ekipin e tij.

“Normalisht këshillat i kam private. Por Lulzim Basha ka hartuar një program shumë të mirë në vlerësimin tim. E mira më e madhe e atij programi është zotimi i tij për rritjen e rrogave. Gjithçka fillon me njeriun, me qytetarin dhe dinjitetin e tij. Mendoj se të gjithë deputetët dhe kryetari i PD duhet të zbërthejnë mirë programin dhe të shpjegojnë se sa jetik është ky program për ndryshimin e Shqipërisë. Ndaj ai po e bën këtë kudo që shkon. Jam i bindur se ai po ecën me siguri drejt një fitoreje të shkëlqyer”, -përfundoi Berisha.

Artikulli paraprakLEONARDO DI CAPRIO APELON PËR MBROJTJEN E LUMIT VJOSA/ FTON QYTETARËT TË FIRMOSIN PETICION PËR MBROJTJEN NGA HIDROCENTRALET
Artikulli tjetërMESDITA ME ALTERNIME KTHJELLIMESH, PASDITE FILLON SHIU! MOTI PËR SOT