Për të gjithë nxënësit në shkollat 9-vjeçare dhe prindërit e tyre do të bëhet një anketim lidhur me interesin e tyre për përdorimin e gjuhës turke, si gjuhë alternative në procesin mësimor.
Burime jozyrtare kanë konfirmuar se Ministria e Arsimit ka nisur të dërgojë emaile për të informuar prindërit lidhur këtë mundësi të re, për përfshirjen dhe mësimin e gjuhës turke nga fëmijët e tyre në shkolla.
Marrëveshja e cila është botuar më 2 mars të 2021 mes dy vendeve, parashikon inkurajimin, mësimdhënien dhe nxënien e gjuhës zyrtare të palës tjetër, si dhe letërsinë dhe kulturën e palës tjetër, brenda sistemit të tyre arsimor.
Sipas marrëveshjes, pala shqiptare synon të kryejë një vlerësim për kërkesat, për të mësuar gjuhën turke si një gjuhë e huaj si lëndë me zgjedhje të lirë, me qëllim shpalljen e një programi pilot në gjuhën turke.
Vlen të theksojmë se gjuha shqipe ka filluar të mësohet në disa shkolla të Turqisë.