Marrja e presidencës së OSBE për vitin 2020 nga ana e Shqipërisë ndodh nën hijen e konfliktit SHBA-Iran dhe përfshirjes jo të drejtpërdrejtë të Shqipërisë në të. Siguria do të jetë shtylla e presidencës shqiptare.
Me një ceremoni solemne në Vjenë, në Këshillin e Përhershëm të OSBE-së, Shqipëria nisi zyrtarisht të enjten (9.01.2020) Presidencën e OSBE, 2020. Fillimi zyrtar i presidencës shqiptare të organizatës më të madhe në botë për siguri dhe bashkëpunim ndodh në kohëra jo të qeta. Konflikti mes SHBA dhe Iranit ka ngjallur shqetësim në 57 vendet anëtare të OSBE, siguria e të cilave është e ndërlidhur me situatën në Lindjen e Mesme.
Burime zyrtare nga Kryeministria në Tiranë bëjnë me dije se Kryeministri dhe Ministri për Europën dhe Punët e Jashtme, Edi Rama, njëherazi drejtues i Presidencës shqiptare të OSBE-së, në fjalën e tij, të enjten në Vienë ka sjellë në vëmendje mundësitë që ka OSBE për të forcuar sigurinë dhe bashkëpunimin, në situatat aktuale.
Fjala kyҫ e Presidencës shqiptare të OSBE 2020 do të jetë dialogu, deklaroi Rama. “Shumë prej mundësive tona vijnë përtej shtrirjes së OSBE, na duhet të forcojmë platformat e dialogut me vendet aziatike për bashkëpunim. Situata aktuale në brigjet jugore është e ndërlidhur me sigurinë e vendeve tona” theksoi kryeministri Rama.
Shqipëria e përfshirë indirekt në konfliktin SHBA- Iran
Forcimi i sigurisë në vendet anëtare të OSBE përbën një nga shtyllat kryesore të programit të Presidencës Shqiptare OSBE, 2020. Vetë siguria e Shqipërisë shfaqet potencialisht jo e pacënueshme në kuadrin e konfliktit SHBA – Iran. Komuniteti i 3200 muxhahedinëve, të strehuar në periferi të Tiranës, armiq të betuar të qeverisë iraniane është një faktor potencial që e përfshin Shqipërinë jo drejtpërsëdrejti në këtë konflikt.
Kjo u duk qartë kur vetë lideri suprem i Iranit, Ajatollah Khomeini në fjalën e mbajtur të mërkurën, (8.01.2020) pas lëshimit të raketave iraniane në bazat ushtarake amerikane në Irak e quajti Shqipërinë, “një vend shumë të vogël, por shumë të keq europian, ku amerikanët bashkëpunojnë me tradhtarët e Iranit kundër Republikës Islamike”.
Por strehimin e 3200 muxhahedinëve në Shqipëri kryeministri Rama e vlerësoi „një veprim që i bën nder Shqipërisë dhe është në vazhdën e traditës shqiptare.” „Kemi marrë përsipër një risk që të strehojmë 3 mijë muxhahedinë. Jam shumë krenar që ky risk është marrë në mënyrë bipartizane. Politika shqiptare ka bërë këtë hap me një bindje të unifikuar në funksion të një aleance strategjike të padiskutueshme me SHBA, Kjo nuk ekspozon në mënyrë të posaçme Shqipërinë” tha Rama në Vjenë.
Ai solli në vëmendje Artikullin 5 të NATOs, thelbi i të cilit është se sulmi ndaj një anëtari të NATOs është sulm ndaj gjithë Aleancës Atlantike. “Jemi në duar të sigurta. Shqipëria është anëtare e NATO-s dhe çdo sulm mbi vendin tonë është sulm mbi NATO-n” theksoi Rama.
Shqipëria – Vigjilencë ndaj sulmeve kibernetike iraniane
Tentiva e Iranit për të cënuar sigurinë kombëtare të Shqipërisë është e provuar tanimë. Në dhjetor 2018 qeveria Rama shpalli „persona non grata” ambasadorin e Iranit në Tiranë dhe e dëboi atë bashkë me një diplomat tjetër të ambasadës iraniane në Shqipëri për shkak „të tentimit të sulmeve terroriste në Shqipëri”, veprim që u përgëzua nga SHBA.
Në një takim të zhvilluar ditët e fundit në Tiranë, të organizuar nga „Qendra për Sigurinë në Europën Jug-Lindore” gjenerali amerikan Michael Barbero, pjesëmarrës në këtë takim tha se „ҫdo aleat i SHBA mund të shikohet si një shënjestër nga Irani.
Për këtë vigjilenca është mjaft e rëndësishme veçanërisht në fushën kibernetike, pasi Irani ka disa aftësi mjaft të sofistikuara për sulmet kibernetike. Shqipëria duhet të tregohet mjaft vigjilente në përpjekjet kundër terrorizmit dhe kundër sulmeve kibernetike. Aleanca do të reagojë ndaj çfarëdo lloj sulmi që do t’i bëhet ndonjë prej shteteve anëtare të saj”, theksoi gjenerali amerikan Barbero.