Fushata elektorale e zgjedhjeve të 14 maj 2023, është kryetemë e këtyre ditëve. Në të gjithë Shqipërinë, kandidatët po shpalosin platformat e tyre për qytetarët, duke dhënë alternativa konkrete për qeverisjen vendore.
Edhe në qarkun e Shkodrës, në bashkitë e këtij rajoni, kandidatët për kryetar të bashkive, kanë nisur takimet me zgjedhësit, duke paraqitur edhe ofertat e tyre konkrete.
Vetëm në Bashkinë Malësi e Madhe, akoma nuk ndjehet fushata elektorale për zgjedhjet vendore. Kandidatët kanë preferuar të mos jenë të pranishëm as në media, duke lënë në terr informativ të gjithë zgjedhësit e tyre.
Nuk është e qartë nëse është strategji e tyre për këtë fushatë, por mungesa e shpalosjes së ofertave politike, krijon problematika tek vota e qytetarëve me 14 maj 2023.
Duke mos njohur platformat qeverisëse të kandidatëve, duke mos marrë pjesë në debate publike mediatike mes tyre apo edhe me qytetarët, kandidatët nuk po i japin një alternativë votuesve të gjykojnë mbi programet.
Në këto kushte, rrezikohet që gjykimi i zgjedhësve të jetë subjektiv dhe jo mbi bazën e ofertave konkrete të kandidatëve, duke sjellë në krye të bashkisë Malësi e Madhe kryetarë që nuk garantojnë suksesin në qeverisjen e kësaj zone.
Në fund, në pyetje vjen normale: A ka zgjedhje në Malësi të Madhe me 14 maj 2023?