Gjykata e shkallës së parë në Shkodër ka rrëzuar kërkesën e ish-drejtores së shtëpisë së fëmijës shkollore Albana Llazani për ndryshim të masës së sigurisë “arrest me burg”.

Në këtë mënyrë ish-drejtorja Llazani mbetet sërish në burg duke qenë se gjyqtarja Luveda Dardha në seancën që u zhvillua nuk pranoi që masën e sigurisë “arrest me burg” ta lehtësojë me një masë tjetër, kërkesë të cilën e kishte bërë prej kohësh avokati mbrojtës. Prokuroria nga ana e saj kundërhstoi kërkesën e avokatit për ndryshim të masës së sigurisë duke qenë se sipas organit të akuzës ka prova dhe fakte që provojnë fajësinë e Llazanit. Ish-drejtorja akuzohet nga prokuroria për abuzim seksual të fëmijëve dhe keqtrajtim të tyre.

Pasi u zhvillua seanca për kërkesën e ndryshimit të masës së sigurisë, nisi një tjetër seancë për ish-drejtoren Llazani dhe 4 ish-punonjëset e tjera të shtëpisë së fëmijës shkollore që gjithashtu akuzohen në këtë çështje. Avokati mbrojtës i Albana Llazanit, Ardian Hajdari kërkoi që seanca gjyqësore të shtyhet duke kërkuar kohë. Me shumë mundësi mbrojtja do ta ankimojë rrëzimin e kërkesës për ndryshimin e masës së sigurisë për ish-drejtoren Llazani në gjykatën e apelit në Shkodër. Pasi avokati Hajdari kërkoi shtyerjen e gjyqit të dytë, gjyqtarja Luveda Dardha pranoi këtë kërkesë duke i lënë kohën e kërkuar palës mbrojtëse.

Nga ana e tyre familjarët e Albana Llazanit jashtë kamerave deklaruan se ajo është e pafajshme dhe se familja e saj ka pësuar një tronditje të padrejtë nga kjo drejtësi sipas tyre e mohuar. Seanca gjyqësore për ish-drejtoren Llazani është shtyrë për rreth 8 herë derisa u arrit në këtë vendim, Sipas mbrojtjes dhe familjarëve shtyrja e gjyqeve është bërë e qëllimshme për zvarritjen e këtij procesi.

Artikulli paraprakKAPEN 2.3 KG HEROINË NË TRAGETIN E LINJËS DURRËS-BARI
Artikulli tjetërBLLOKIMI I RRUGËVE NGA BORA NË SHKODËR, PROKURORIA NIS HETIM