Policia e Shtetit ka reaguar pas lajmit se kreu i Partisë Demokratike Lulzim Basha dhe familja e tij po mbahen nën survejimin e Policisë pas publikimit të audio-përgjimit për Agron Xhafaj. Në një deklaratë për mediat, Policia e Shtetit mohon se familja Basha mbahet nën vëzhgim nga forca policore.

Sipas policisë z.Basha përfiton nga statusi si kryetar i opozitës, masa shtesë dhe shoqërohet nga forca të Gardës së Republikës, por nuk ka në asnjë moment dhe në asnjë rrethanë, monitorim survejues të tij nga strukturat e Policisë së Shtetit.

DEKLARATA E PLOTË
Përgënjeshtrim rreth lajmit se familja Basha mbahet nën survejim – përmbajtja e shkrimit, një spekulim mediatik për qëllime të mbrapshta. Lidhur me shkrimin e botuar në gazetën “Panorama”, të datës 1 qershor 2018, me titull “Hije skandali, Policia mban në survejim familjen Basha”, sqarojmë se:

Nuk është aspak e vërtetë që familja e z.Lulzim Basha, kryetar i PD-së, apo familjarë të tij, të mbahen nën vëzhgim nga forca policore.

Përmbajtja e shkrimit është tërësisht një spekulim mediatik me synim mashtrimin dhe keqinformimin e opinionit publik për qëllime që i gjykojmë të mbrapshta.

Me keqardhje konstatojmë se lajmi në fjalë duket i fabrikuar nga zyrat e një partie politike dhe jo nga redaksi serioze.

Informimi i publikut rreth veprimtarisë së institucioneve të shtetit është një e drejtë e garantuar me ligj, prandaj nëse dikush do të kishte interes rreth së vërtetës, do ta merrte informacionin lehtësisht në rrugë zyrtare.

Fakti që asnjë nga institucionet e përmendura nuk është kontaktuar nga media në fjalë, na krijon dyshimin se në këtë rast kemi të bëjmë me keqpërdorim flagrant të një gazete nga ana e politikës.

Me këtë rast theksojmë se z.Basha përfiton nga statusi si kryetar i opozitës, masa shtesë dhe shoqërohet nga forca të Gardës së Republikës.

Por nuk ka në asnjë moment dhe në asnjë rrethanë, monitorim survejues të tij nga strukturat e Policisë së Shtetit. Duke vlerësuar rolin e medias, Policia e Shtetit është e gatshme për t’iu përgjigjur çdo çështjeje me interes publik, në funksion të mirinformimit të qytetarëve.

Artikulli paraprakFËMIJËT KTHEJNË PAQEN NË SALLËN E SEANCAVE PLENARE PËR 1 QERSHOR, RUÇI: KEMI NEVOJË PËR JU
Artikulli tjetërPËRCILLET PËR NË BANESËN E FUNDIT SUZANA DIBRA