Kryeministri i Malit të Zi, Dritan Abazoviç, tha se është pro iniciativës rajonale “Ballkani i Hapur” dhe vlerësoi se Kosova do të përfitojë më së shumti nga pjesëmarrja në të.

Në një intervistë për Kljan Kosova, Abazovic tha se “Ballkani i Hapur” është krijuar për të përfshirë gjashtë shtete të Ballkanit Perëndimor.

“Ballkani i Hapur është bërë për gjashtë vende, nuk është bërë për pesë vende e gjysmë apo tre e gjysmë, por për gjashtë. Të gjithë ata që marrin pjesë përfaqësojnë veten dhe vendin e tyre. Mendimi im, ndoshta e kam gabim, është se interesi më i madh në rajon është që Kosova të jetë në çdo iniciativë rajonale”, tha Abazoviç.

Abazoviç tha gjithashtu se pretendimet se “Ballkani i Hapur” është iniciativë e Aleksandër Vuçiçit për krijimin e “Serbisë së Madhe” nuk kanë kuptim, duke pasur parasysh se në atë projekt po merr pjesë edhe Shqipëria.

“Gjëja më e rëndësishme është rritja e besimit mes vendeve të rajonit dhe që kjo të ndodhë duhet të ketë komunikim. Mendoj se kjo është mënyra e gabuar. Nuk e di kush është ai që i pëlqen të presë në kufi, nuk e kam fjalën vetëm për turistët kosovarë në Mal të Zi, por edhe qytetarët malazezë që duan të shkojnë në Serbi apo kudo në rajon”, tha ai.

Artikulli paraprakVROJTIMI I BSH/ SITUATA FINANCIARE E FAMILJEVE, MË E KEQJA QË NGA PERIUDHA E PANDEMISË
Artikulli tjetërÇ’LIDHJE KA LUFTA E UKRAINËS ME KRIMIN KIBERNETIK?