Ndeshja mes Adës së Velipojës dhe Burrelit e luajtur në fushën sportive “Reshit Rusi” është mbyllur me një incident.
Sulmuesi Edison Puka që këtë sezon luan me Burrelin futet në lojë sapo fillon pjesa e dytë duke zëvendësuar Mellugjën. Në minutën e 67’ bën një ndërhyrje ndaj portierit Hila duke u ndëshkuar me karton të verdhë. Pa u bërë 10 minuta nga kartoni i parë, në minutën e 75’ sulmuesi i Burrelit bën një tjetër ndërhyrje kësaj here ndaj mbrojtësit të Adës Erbet Hotaj. Arbitri Yzeiraj nuk toleron aspak ndaj këtyre ndërhyrjeve dhe në minutën e 75’ Puka merr kartonin e dytë të verdhë dhe largohet me karton të kuq. Dalja me të kuqe e irriton ish-sulmuesin e Adës i cili duke hyrë në dhomat e zhveshjeve godet me forcë derën e dhomës duke e thyer atë në pjesën e poshtme. Në ato momente në dhomë futen dy policë të cilët i kërkojnë sulmuesit që të qetësohet.
SULMUESI PUKA THYEN DERËN DHE NUK I BINDET POLICËVE
Puka debaton me policët duke ngritur tonet e zërit por edhe duke mos iu bindur atyre. Kaq mjafton dhe sulmuesi shkodran merr urdhër që të vishet për t’u shoqëruar në komisiariatin e Shkodrës. Sërish duke mos u bindur, në moment në dhomën e zhveshjes ku ndodhej futbollisti vijnë forcat e ndërhyrjes së shpejtë që bëjnë të mundur shoqërimin për të dhënë shpjegimet për incidentin e shkaktuar. Gjatë shoqërimit nga ana e efektivëve të FNSH Puka nuk bëri rezistencë. Duke qenë se luante ndaj ish-skuadrës së tij sulmuesi e ka patur mbase të vështirë të pajtohet me humbjen e Burrelit dhe duke parë daljen me karton të kuq ka shtuar tek ai nervozitetin që e shfaqi qartë.