Ada e Velipojës është dobësuar në vijën sulmuese.

Ditët e fundit Elis Kabuni sulmuesi që sezonin e parë luajti me Velipojakët ka zgjedhur që tashmë të ketë një tjetër ekip. Shkodrani i është bashkuar sëfundmi skuadrës së Besëlidhjes që po ashtu është në Kategorinë e Parë. Tek Besëlidhja drejton trajneri Samuel Nikaj pas largimit të Kreshnik Krepit. Tekniku Nikaj mund të ketë qenë një shtysë edhe më shumë që sulmuesi Kabuni të ndryshojë destinacion. Largimi i tij nga Ada natyrisht që krijon jo pak probleme për skuadrën që vijon të drejtohet nga zëvendëstrajneri Ersi Çaku që njëkohësisht është edhe futbollist. Ikja e Kabunit ka bërë që momentalisht Ada të mos ketë një sulmues të mirëfilltë dhe duhet që ta gjejë një të tillë për pjesën e mbetur të sezonit. Gjatë kohës që u aktivizua tek velipojakët Kabuni ka dhënë një kontribut duke arritur që të jetë autor i katër golave. Pavarësisht largimit të Kabunit, tek Ada kanë ardhur disa futbollistë të tjerë por problem mbetet sulmi sepse të ardhurit luajnë në mbrojtje apo mesfushë kryesisht. Largimi i Kabunit ka bërë që presidenti i Adës Alfred Pjetri të hidhet në sulm për të gjetur një zëvendësues. Kanë nisur disa tentativa me sulmues të ndryshëm që janë pjesë e ekipeve në Kategorinë e Parë por ende deri tani nuk ka asgjë konkrete. Ditët në vijim do të shihet nëse presidenti Pjetri do të arrijë akordin me ndonjë sulmues. Velipojakët kanë nevojë që të përforcohen sepse janë në një pozitë të vështirë teksa mbajnë vendin e parafundit duke rrezikuar më shumë se kurrë rënien nga në Kaegorinë e Dytë. Përveç merkatos së lojtarëve tek Ada ende nuk është vendosur për trajnerin e ri edhe pse më i mundshmi është emri i Kreshnik Krepit pas largimit të këtij të fundit nga Besëlidhja.

Artikulli paraprakTEUTA-VLLAZNIA, SFIDA KU NUK LEJOHEN GABIMET
Artikulli tjetërSHKELQIM CANI I DEL KUNDËR BEN BLUSHIT