Ada e Velipojës ka marrë një humbje hidhëruese. Velipojakët janë ndëshkuar në sekondat e fundit të shtesës në pjesën e dytë përmes një penalltie që u kthye në gol nga Rezi.
Akordimi i 11-metërshit u kundërshtua nga futbollistët dhe stafi i Adës teksa e cilësuan si një vendim të padrejtë të arbitrit. Ka qenë një ndeshje e balancuar dhe me raste për të dy ekipet por kjo ndeshje është zgjidhur vetëm me penalltinë në fund të saj. Trajneri i Adës Ilir Dibra pas ndeshjes tha se në këtë takim kërkonte një rezultat pozitiv por sipas tij një ndikim kishte arbitrimi. Për trajnerin Dibra rezultati më i drejtë i kësaj ndeshjeje mund të ishte barazimi. Me këtë humbje ndaj Erzenit Ada vështirëson pozitat e saj në kampionat teksa renditet e parafundit me vetëm 6 pikë. Për velipojakët edhe kalendari nuk është shumë në favor të tyre sepse ndeshjen e radhës e kanë në transfertë me Ilirinë e Fushë-Krujës ndërsa më pas presin pretendentët e Korabit. Gjithsesi Ada objektiv të saj edhe këtë sezon ka qëndrimin në kategorinë e parë.