Skuadra velipojake pritet t’i lërë pas problemet e zakonshme që e kanë shoqëruar çdo vit këto vitet e fundit dhe nga e hëna e javës tjetër do të nisë përgatitjet për sezonin e ri. Lajmi konfirmohet nga presidenti Alfred Pjetri, njeriu që nuk di të dorëzohet asnjëherë, pavarësisht problemeve financiare dhe investimeve të pafund që ka bërë prej 20 vitesh te kjo skuadër.
Sipas tij, brenda pak orësh do të caktohet edhe trajneri i ri, ai që do të drejtojë skuadrën në sezonin e ri. Vetë Pjetri nuk ka patur dëshirë që të japë emra, por burime pranë tij bëjnë të ditur se kandidatura më e mundshme për të marrë postin e trajnerit është ajo e Brikeno Bizit. Ky i fundit ka mbajtur së fundi rolin e drejtorit teknik të Adës dhe bashkë me ish-trajnerin Kreshnik Krepi kanë një meritë të madhe në shpëtimin e Adës nga mosrënia prej kategorisë. Megjithatë, emri i trajnerit do të zbardhet shpejt dhe do të nisë menjëherë nga puna. Presidenti Pjetri, u ka bërë të ditur të gjithë futbollistëve që janë nën kontratë me Adën dhe që kanë nisur stërvitjen për momentin me Vllazninë, Besëlidhjen, Tërbunin apo ndonjë skuadër tjetër që të jenë të hënën në stërvitje, sepse ndryshe, në adresë të tyre do të ketë sanksione. Për momentin, Ada ende nuk ka një garanci financiare për të përballuar sezonin e ri, megjithatë pritet që drejtuesit e klubit shumë shpejt të kenë një takim me kryetaren e re të Bashkisë Shkodër, zj. Voltana Ademi dhe për të biseduar me të rreth të ardhmes së këtij klubi, ngaqë Velipoja tashmë me ndarjen e re territoriale i takon Bashkisë Shkodër.