Skuadra e Adës së Velipojës ka zgjidhur një prej problemeve më të mëdha të saj. Ekipi që deri tani vuante për një fushë për të zhvilluar ndeshjet në kategorinë e parë ka arritur që të gjejë rrugën e mirëkuptimit me bashkinë Shkodër. Për sezonin e ri që pritet të fillojë Ada që drejtohet nga presidenti Alfred Pjetri ndeshjet e kategorisë së parë ndaj kundërshtarëve do t’i luaj në fushën sportive “Reshit Rusi”. Ndonëse për Vllazninë federate shqiptare e futbollit ende nuk ka hapur dritën jeshile për të bërë liçensimin, ndryshe është situata me Adën.

Federata ka pranuar ndërkohë që në të njëjtën kohë edhe bashkia Shkodër nuk është bërë pengesë për një gjë të tillë. Gjatë ditës së enjte presidenti i Adës Alfred Pjetri mësohet se ka patur një bisedë të shkurtër me përfaqësues të bashkisë Shkodër. Pas konsultimit edhe me kryetaren e bashkisë Voltana Ademi është vendosur që fusha “Reshit Rusi” të përdoret nga Ada e Velipojës për të zhvilluar ndeshjet që do ketë brenda. Natyrisht që kjo është një ndihmesë e madhe për Adën duke qenë se sezonin e kaluar kjo skuadër shtegtonte në fusha të ndryshme që patjetër kishin ndikimin e vet në disa rezultate jo të mira. Me reformën territoriale Velipoja është pjesë e bashkisë Shkodër dhe si e tillë edhe Ada nuk do vuaj më vartësinë nga ish-komuna por gjithçka do varet nga bashkia. Ky është hapi i parë për Adën ku bashkia i vjen në ndihmë ndërsa në të ardhmen presidenti Pjetri dhe pjesa tjetër, stafi dhe lojtarët presin edhe një mbështetje financiare. Ada ka trajnerin e ri Alban Noga që prej pak kohësh ka nisur punën e po ashtu po riorganizohet për sezonin e ri edhe me disa futbollistë të ardhur e natyrisht pret zhvillime pozitive edhe nga Bashkia Shkodër në të cilën bën pjesë. Fusha sportive “Reshit Rusi” shërben edhe për ekipet e akademisë Vllaznia dhe aty pritet që të luaj edhe ekipi i parë i Vllaznisë. Nëse FSHF e liçenson edhe për kuqeblutë atëherë ngarkesa atje shtohet ndjeshëm dhe duhet shpresuar që të mos ketë ndonjë përplasje gjatë fundjavave kur do të luhen takimet e superligës, kategorisë së parë dhe të moshave.

Artikulli paraprakLIDHJET E TRAFIKUT TË DROGËS MES SHQIPËRISË DHE ITALISË
Artikulli tjetërNISHANI TAKOHET ME PRESIDENTEN E KOSOVËS JAHJAGA