Ada e Velipojës ia ka dalë që të fitojë ndaj Kamzës duke mbajtur të ndezura shpresat teksa duhen edhe dy javë që të mbyllet kampionati.

Edhe pse Ada ka fituar asgjë s’ka ndryshuar në renditje dhe velipojakët vijojnë të jenë në vend të fundit 3 pikë pas Mamurrasit që mundi në shtëpi Burrelin. Plot 7 gola janë shënuar në takimin Ada-Kamza. Velipojakët kanë fituar me një gol diferencë ndërsa kanë përmbyrusr rezultatin. Skuadra mike e nis mjaft mirë lojën. Që në minutën e 5-të është Ymeraj ai që zhbllokon rezultatin për Kamzën duke surprizuar vendasit. Është Kaloshi ai i cili duket sikur shuan shpresat për Adën duke realizuar golin e dytë për miqtë. Ada shkon në dhomat e zhveshjes me disavantazhin e dy golave. Velipojakët reagojnë shpejt në pjesën e dytë dhe është Vecaj ai i cili në minutën e 50′ çon në 1-2 shifrat duke rihapur këtë takim. Në minutën e 55′ Koleci dëmtohet për Kamzën dhe detyrohet që të dalë nga loja. Kamza nuk ka një futbollist tjetër për ta zëvendësuar pasi kishte ardhur në Shkodër me vetëm 12 lojtarë teksa Gjonaj më parë kishte zëvendësuar Deliallisin. Kur pritej goli i barazimit për Adën, Ymeraj shfaqet rrezikshëm përpara portës së velipojakëve dhe realizon golin e tretë në minutën e 67′ duke ia vështirësuar punën ekipit vendas. Ada nuk dorëzohet dhe është Vecaj ai që pas një aksioni ngushton sërish shifrat në 2-3 dhe hidhet e tëra në sulm. 9 minuta pa u mbyllur loja Kamza e mbetur me 10 futbollistë lëshon terren dhe bie fizikisht gjë të cilën Ada e shfrytëzon shumë mirë. Drabeja barazon në 3-3 rezultatin. Vecaj në fund bën heroin për Adën teksa shënon edhe golin e katërt për skuadrën dhe të tretin personal. Tashmë duhen edhe dy javë teksa Ada nuk i ka humbur shpresat edhe pse misioni është i vështirë duke qenë se Mamurrasi mban vendin e parafundit me 3 pikë më shumë se velipojakët.   

Artikulli paraprakVLLAZNIA, CUNGU: BARAZIMI NË KUKËS NUK ISHTE I LEHTË
Artikulli tjetërSHTYHEN TAKIMET ME GRUPET PARLAMENTARE, REAGON AMBASADA E SHBA-ve