Ada e Velipojës në vazhdimësi do të ketë një disiplinë të hekurt.

Të paktën kështu deklaron trajneri i sapoardhur Kreshnik Krepi. Tekniku i velipojakëve ka nisur punën me skuadrën e tij dhe përpara ka një sfidë të vështirë siç është qëndrimi në Kategorinë e Parë duke qenë se Ada aktualisht mban vendin e parafundit në renditje. Futbolli nuk është me kohë të pjesshme tregon Krepi ndërsa bën të ditur afrimin e disa futbollistëve tek ky ekip. “Tek Ada e Velipojës ju siguroj se do të ketë një disiplinë të hekurt. Futbolli nuk është me kohë të pjesshme ndaj kërkohet mobilizim dhe frekuentim i plotë i seancave stërvitore. Këto janë disa prej ndryshimeve tek Ada. Ju bëj me dije edhe ardhjen e disa lojtarëve të tjerë si Vahedin Pepaj, Paolo Markolaj, Erbet Hotaj, Denis Çokaj dhe Izmirald Osmani. Pavarësisht ardhjes së këtyre lojtarëve duhet të jemi të vendosur që të bëjmë më të mirën e mundshme në çdo sfidë që kemi dhe çdo ndeshje duhet t’i marrim me radhë për të arritur objektivin që është qëndrimi në Kategorinë e Parë. Ju siguroj se Ada do jetë një ekip i mobilizuar dhe në çdo ndeshje do të kërkojmë vetëm fitoren. Dua të falenderoj futbollistët të cilët kritikat e mia i kthejnë në një motivim më shumë dhe stimul për të arritur fitore në takime që kemi në vazhdimësi. Nuk dua që të merrem me problematikat ekonomike që skuadra ka sepse jemi si një Fiat Ritmo realisht por premtoj se Ada do jetë e rrezikshme për çdo Ferrari në Kategorinë e Parë. Po punojmë për riorganizimin ku gjithsecili duhet që të përmirësohet. Stërvitja zhvillohet me metoda bashkohore për një të ardhme më të mirë dhe për të vlerësuar maksimalisht fanelën për të cilën luajmë”-deklaron Krepi. Ky qëndrim i teknikut Krepi vjen në prag të ndeshjes që Ada ka me Adriatikun e Mamurrasit, skuadër që renditet në vendin e fundit dhe ndeshje në të cilën kërkohet fitorja me çdo kusht si e vetmja shpresë për mbijetesën.

Artikulli paraprakKRYEMINISTRI RAMA PRET EKSPORTUESIT SHQIPTARE
Artikulli tjetërBASKETBOLL, KAMZA BASKET FITON KUPËN E SHQIPËRISË NË SHKODËR