Boksieri i Kombëtares së Shqipërisë, Adam Maca, ka arritur një tjetër sukses, teksa ka marrë edhe fitoren e tretë rradhazi dhe si rrjedhojë, ka dalë në finalen e kampionatit botëror të 16-vjeçarëve që po zhvillohet në Armeni. Për të arritur deri këtu, në turin e parë Maca ka qenë me fat, sepse sipas shortit është kualifikuar direkt për në turin e dytë. Në këtë të fundit është ndeshur me uzbekistanasin Pahlovonjon ndaj të cilit ka triumfuar, duke shkuar në turin e tretë, aty ku fitoi edhe ndaj Siankevich.
Ndërkohë, në gjysmëfinale është ndeshur me afganistanasin Sahak ndaj të cilit ka triumfuar me rezultatin e pastër 5-0 dhe në këtë mënyrë, ka siguruar kualifikimin për në finalen e peshës 57-kg. Kjo finale do të zhvillohet ditën e dielë dhe përballë tij do të jetë rusi Platon. Sigurisht që, edhe përballë rusit Platon, boksieri ynë do të kërkojë fitoren dhe medaljen e artë të këtij Botërori.
Megjithatë, edhe sigurimi i medaljes së argjendtë është një sukses i jashtëzakonshëm për boksin shqiptar. Kjo sepse askush deri më sot nuk kishte arritur deri tek medalja e argjendtë dhe për këtë arsye, ecuria e Adam Macës e bën historike këtë arritje të tij. Kujtojmë që, boksieri me origjinë nga Mirdita, i lindur dhe i rritur në Angli, shoqërohet në këtë kampionat botëror nga trajneri i tij, shkodrani Klaudio Çekini, i cili poashtu ka edhe ai meritën e tij në këtë sukses.