Kryetarja e Bashkisë Shkodër inspektonin Obotin e rrethuar nga uji, Ademi: Nuk e di çfarë duhet të ndodhë tjetër që qeveria të shpallë emergjencën civile!
Kryetarja e Bashkisë së Shkodrës zj. Voltana Ademi ka inspektuar ditën e sotme të gjithë zonën e përmbytur në Obot të Njësisë Administrative Aana e Malit.
E vetmja mundësi për të parë nga afër situatën e rëndë dhe për të takuar banorët totalisht të izoluar, ishte lundrimi me varkat e ushtrisë.
Mijëra hektarë tokë të mbuluara nga uji, të gjitha kulturat bujqësore të dëmtuara nga qëndrimi i ujit prej më shumë se dy javësh dhe çfarë është me e rëndësishmja: banorë që uji jo vetëm u ka bllokuar jetën e tyre, por u ka hyrë edhe në shtëpi.
Ademi ka takuar dhe ka bashkëbiseduar me banorë të Obotit, të cilët kërkojnë vëmendje nga strukturat qeveritare. Ata shprehen të shqetësuar nga heshtja e qeverisë ndaj kërkesës së bërë nga Bashkia e Shkodrës për shpalljen e gjendjes së emergjencës në zonat e përmbytura.
Kryetarja e Bashkisë i ka siguruar se do të vijojë të kërkojë, me të gjitha instrumentat e mundshëm ligjor e demokratikë, shpalljen e gjendjes së emergjencës.
Ademi ka paralajmëruar edhe padi në prokurori për shpërdorim detyre si për keqmanaxhim të kaskadës së Drinit por edhe për mosshpalljen e gjendjes së emergjencës nga strukturat përgjegjëse shtetërore.