Kryetarja e bashkisë së Shkdorës, Voltana Ademi i është drejtuar zyrtarisht me një shkresë Prefektit të qarkut që të shpallë gjendjen e emergjencës në një pjesë të territorit, si pasojë e përmbytjeve që janë shkaktuar ditët e fundit.

Bashkia deklaron se “situata është krijuar nga shkarkimet e pakontrolluara dhe të mëdha në sasi dhe për një kohë të gjatë, keq-menaxhimi i kaskadës së lumit Drin dhe mungesës së informacionit mbi sasinë dhe kohën e shkarkimeve,

si pasojë e këtyre shkaqeve jemi në kushtet e gjendjes së jashtëzakonshme në njësitë administrative Ana e Malit dhe Dajç ku rrezikohet rëndë shëndeti dhe jeta e popullatës, gjësë së gjallë, pasurisë e mjedisit”.

Por kërkesa pritet që të refuzohet nga Prefekti, nisur nga deklaratat e djeshme se situata nuk është alarmante. Sipas Ministrisë së Mbrojtjes 35 fermerë janë bllokuar në Njësinë Administrative

Ana Malit nga përmbytjet e dy ditëve të fundit si pasojë e reshjeve te dendura te shiut dhe shkarkimeve nga HEC-et, ndërsa rreth 500-600 ha tokë janë nën ujë.

Fshati është përmbytur nga reshjet e dendura të shiut, por edhe shkarkimet e HEC-eve. Fshati më i prekur është Oboti, ku mund të lëvizet vetëm me ndihmën e forcave të ushtrisë.

Artikulli paraprakDAR SHKODËR FESTON 7 MARSIN
Artikulli tjetërEMERGJENCAT, PREFEKTI MBLEDH SHTABIN