Situata në njësinë Ana e Malit nga përmbytjet është e përkeqësuar pasi uji ka mbërritur në oborret e afro 35 banesave në fshatin Obot. Administratori i kësaj njësie Arben Ceni thotë se afro 80% e tokës bujqësore ndodhet nën ujë me dëme të mëdha për fermerët.
Administratori i Anës së Malit Ceni, këtë përmbytje të radhës e quan një krim shtetëror dhe fton banorët që kanë tokat nën ujë që të bëjnë një peticion dhe t’i drejtohen organeve të drejtësisë.
Edhe pse jemi në ditën e gjashtë të përmbytjeve, institucionet shteërore nuk kanë ofruar asnjë ndihmë thotë administratori Ceni përveç mjeteve të ushtrisë që bëjnë transportin e banorëve pasi rruga e Obotit vijon të jetë e pakalueshme.
Ajo që shpreson administratori Ceni por edhe vetë fermerët e përmbytur është përmirësimi i kushteve atmosferike në mënyrë që harta e përmbytjes të mos zgjerohet më shumë në ditët e ardhshme.