Administratorja e kompanisë “Albtek-Energy” shpk, Stela Gugallja, e cila zotëron inceneratorin e Elbasanit, i përgjigjet akuzave të kreut të Partisë Demokratike, Lulzim Basha.

Nëpërmjet një reagimi për “Panorama”, Gugallja thotë se Prokuroria e Elbasanit ka zhvilluar hetime për disa vepra dhe në fund, ato janë mbyllur për mungesë provash.

This slideshow requires JavaScript.

Për këtë arsye, Gjykata e Elbasanit sqaron Gugallja më datë 11 janar 2018, ka vendosur të pushojë çështjen penale me vendim të formës së prerë ndaj “meje dhe disa personave tjerë, pasi ka konstatuar se nuk ka element të asnjë vepre penale”. Reagimi vjen ndërkohë që kreu i opozitës, Lulzim Basha tha se një nga personat kyç për hetimin e inceneratorëve, është vënë nën presion nga mafia.

“Prej më shumë se një jave i kërkoj SPAK-ut të nisë hetimet për aferën e mafies së inceneratorëve. Një nga personat kyç për hetimin e inceneratorëve, është vënë nën presion nga mafia. Mafia e plehrave, presion mbi një prej personave kyçë në skemën mafioze të inceneratorëve, Stela Gugallja. Paralajmëroj SPAK-un se nëse ndonjë prej të dyshuarve kryesorë në aferën e plehrave largohet, do të jetë përgjegjësia e SPAK”- tha Basha gjatë konferencës për shtyp.

Reagimi i plotë i administratores Stela Gugalja:

U njoha sot me deklaratën e radhës së zotit Lulëzim Basha, sipas të cilës jam vënë nën presion nga mafia e plehrave. Në respekt të familjes time dhe opinionit publik sqaroj se, nuk jam dhe nuk ndihem për asnjë moment e kërcënuar apo e shantazhuar nga askush. Në jetën e biznesit dhe jashtë saj nuk jam përfshirë në asnjë veprimtari të paligjshme që të më bëjë objekt shantazhi apo kërcënimi.

I vetmi që më ka vënë nën presion dhe më shantazhon është zoti Lulëzim Basha dhe njerëz rreth tij. Prej kohësh jam vënë nën sulme politike nga Partia Demokratike, në të cilën unë dhe familja ime kemi aderuar si anëtarë që në lindjen e saj, duke e mbështetur prej viteve 90.

Meqënëse emri im është  bërë publik dhe lidhet me kompaninë “Albtek-Energy” shpk ku unë jam ortake  e vetme dhe administratore e shoqërisë sqaroj se, Prokuroria  Elbasanit me vendim  nr 2609 në datë 26.05.2017 ka filluar një hetim penal, për vepra penale si, ”Korrupsion pasiv”, “Korrupsion  aktiv”, “Shpërdorim  detyre”, “Pastrim të produkteve të veprës penale” dhe “Moskryerje të detyrave nga organet tatimore”. Prokuroria pasi ka zhvilluar hetime rreth 8 muaj, ka konkluduar që në aktivitetin tim dhe të personave të tjerë, si dhe shoqërisë “Albtek-Energy” nuk ka element të veprave penale, për të cilat kishte regjistruar procedimin penal dhe i ka kërkuar Gjykatës Elbasan, pushimin e çështjes. Gjykata e Rrethit Elbasan me vendimin 11.01.2018, ka vendosur të Pushojë çështjen penale ndaj meje dhe disa personave tjerë, pasi ka konstatuar se nuk ka element të asnjë vepre penale.

/Panorama/

Artikulli paraprakVASILI: RAMA NJË RRANGALLË POLITIKE, DO QË TË IZOLOJË SHQIPTARËT NGA EUROPA
Artikulli tjetërSTAR TREND – MEDUSA CAFFE