Aktorja dhe deputetja, Adriana Matoshi, ka përfunduar me sukses operacionin që i ishte nënshtruar për largimin e tumorit në tru, në spitalin Amerikan. Lajmin e gëzuar e kanë bërë të ditur familjarë të saj.
Pak ditë më parë, përmes një postimi në rrjetet sociale, Adriana tregoi se i ishte rikthyer tumori në tru, për të cilin ishte operuar nëntë vite më parë. Matoshi tha se para nëntë vitesh kur ka zbuluar tumorin ishte shtatzënë.
Ndërkohë shumë qytetarë dolën në përkrahje të saj, mes tyre dhe personazhe të njohur. Për shembull, kryetari i Aleancës Kosova e Re, Behxhet Pacolli, është vënë në dispozicionin e saj, nëse ajo e konsideronte se ndihmën mjekësore duhet ta kërkojë jashtë Kosovës.
Nga ana tjetër, këngëtari Labinot Tahiri ka deklaruar se nëse është e nevojshme, do të dalë në rrugë për të mbledhur para për shërimin e Adrianës.
Madje u zhvillua edhe një marshim në sheshet e Prishtinës.