Ish-kryeprokurori i Përgjithshëm, Adriatik Llalla ka depozituar një rekurs në Gjykatën e Lartë për heqjen e sekuestros mbi pasurinë e tij.

Ankimimi është depozituar pak ditë më parë, , pas vendimit të Gjykatës së Apelit për të lenë në fuqi vendimin e prokurorisë për të sekuestruar pasurinë e Llallës.

Gjyqtari Idriz Mulkurti ka rrëzuar kërkesën e Llallës për heqjen e sekuestros nga pasuria e tij. Vendimi për sekuestrimin e pasurisë së Llallës u mor më 23 korrik 2018.

Pasuria e Llallës kapte vlerën e rreth 1 miliardë lekëve dhe mes pronave të sekuestruara përfshihen toka, ara, ullishte dhe një apartament në Tiranë.

Ish-kryeprokurori akuzohet për disa vepra penale si “pastrim parash”, “refuzim të deklarimit të pasurisë”, “mosdeklarim”, “fshehje ose deklarimi i rremë i pasurisë”, “Mosdeklarimit të shumave të të hollave ne kufi”, “Pastrimit të produkteve të veprës penale“ dhe “Shpërdorimit të detyrës”.

Çështja kundër Llallës ka nisur nga prokuroria e Durrësit, ndërsa tani po hetohet nga Prokuroria e Krimeve të Rënda. Prokurorët që janë duke administruar këtë hetim janë Besim Hajdarmataj dhe Klodian Braho.

Llalla iu shmang Vettingut:Ish-kryeprokurori ka lenë detyrën në 8 dhjetor 2017, pasi i skadoi mandati dhe në vend të tij u zgjodh kryeprokurorja Arta Marku.

Llalla i shpëtoi procesit të Vettingut, pasi paraqiti dorëheqjen nga sistemi para Komisionit të Pavarur të Kualifikimit. KPK-ja pranoi kërkesën e Llallës duke e nxjerrë nga sistemi dhe duke mos kaluar në Vetting.

Komisioneri Publik ankimoi pranë Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, vendimin e KPK-së. Në 11 qershor, KPA shqyrtoi kërkesën e Komisionerit Publik, dhe vendosi të linte në fuqi vendimin e KPK-së duke e lënë Llallën jashtë sistemit dhe pa kaluar në Vetting.

Pas largimit të Llallës nga posti i kryeprokurorit, Departamenti i Shtetit ndaloi publikisht hyrjen e Adriatik Llallës dhe familjes së tij në Shtetet e Bashkuara, me argumentin se “ka informacione për përfshirje të tij në raste domethënëse korrupsioni”.

Artikulli paraprakDIGJEN 10 HEKTARË ME ULLISHTE,ZJARRI DYSHOHET TE JETE AKSIDENTAL
Artikulli tjetërDHUNOHET ME GRUSHTA DHE SENDE TË FORTA, VDES 56-VJEÇARI