Prokuroria e Krimeve të Rënda ka vendosur shtyrjen për herë të katërt me tre muaj të hetimeve për ish-ministrin e Brendshëm Saimir Tahirin. Afati për përfundimin e hetimeve për ish-ministri do të skadonte ditën e nesërme më 17 janar.

Burime pranë Krimeve të Rëndë bëjnë me dije se shtyrja e hetimeve është bërë për kryerjen e disa verifikimeve shtesë që do të ndihmojnë lidhur me zbardhjen e çështjes.

Saimir Tahiri ka qenë në hetim nga prokuroria italiane prej datës 27 tetor 2017 nga prokuroria e Catania-s me akuzën e trafikut të drogës mbi bazën e përgjimeve të çështjes Habilaj.

Në përgjime flitej për 30 mijë euro që grupi Habilaj kishte për ti dhënë një personi me emrin SAIMIR dhe bizhuteri gruas së tij. Pas hetimeve prej më shumë se një viti prokuroria italiane shkruan se nuk ka gjetur prova që implikojnë ish-ministrin shqiptar të Brendshëm duke kërkuar arkivimin ose mbylljen e çështjes.

Pak javë më parë Tahiri depozitoi në prokurorinë e Krimeve të Rënda edhe vendimin e prokurorisë së Catanias.

Grupi Habilaj u vu në hetim nga prokuroria e Catanias ku aktualisht i gjithë grupi është dërguar në gjykim me akuzën e trafikut të tonelatave canabis dhe disa armë kallashnikov në Itali.

Për Moisi Habilaj, Prokuroria e Catanias kërkon 18 vite burg dhe një shekull për të gjithë anëtarët e bandës së tij.

Nga hetimet rezutoi se grupi drejtuar nga Moisi Habilaj favorizohej edhe nga Policia e Shtetit dhe në disa përgjime ata përmendin edhe emrin e ish-ministrit Tahiri si kushëriri i tyre.

Si bashkëpunëtorë të Habilajve u identifikuan dhe shpallën në kërkim ish-drejtuesit e policisë së Vlorës si Jaeld Çela, Gjergji Kohila dhe Sokol Bode.

Gjatë një viti hetime ndërmjet Krimeve të Rënda dhe prokurorisë së Catanias u shkëmbyen letërporosi dhe materiale hetimore të cilat ishin dhe prova e nisjes së hetimeve në Shqipëri ndaj Tahirit pas publikimit të dosjes italiane në media.

Artikulli paraprak‘PËRGJIGJET I JAP SIKUR I KAM, NUK I ZBUKUROJ’/ RAMA MESAZH METËS PAS PËRPLASJES PËR DEKRETET
Artikulli tjetërJENI STUDENT DHE KENI PAQARTËSI PËR VENDIMET PËR TARIFAT DHE BURSAT? RAMA: JA KU DUHET TË DREJTOHENI