Gjykata e Posaçme pritet të vendosë sot për kërkesën e SPAK për caktimin e masës së sigurisë arrest në shtëpi për ish-kryeministrin Sali Berisha, në hetim për aferën ‘Partizani’. Vendimi pritet të jepet në orën 15:00, ndërsa seanca e një dite më parë u shty pasi avokatët kërkuan përjashtimin e gjyqtares Irena Gjoka.
Ditën e sotme, një tjetër gjyqtare e GJKKO do të shqyrtojë kërkesën e dytë të avokatëve të Berishës për përjashtimin e Gjokës, ndërsa më pas pritet të dilet me vendimin nëse Berisha do të izolohet brenda shtëpisë me policë tek dera, apo jo. Deri sot në orën 15:00, koha është nën numërim mbrapsht për ish kryeministrin që akuzohet për korrupsion në dosjen ‘Partizani’.
Kujtojmë që, kërkesa e parë për përjashtimin e gjyqtares Gjoka u rrëzua dje nga gjyqtarja Rudina Palloi. Por, avokati Gjokutaj kërkoi për së dyti përjashtimin e gjyqtares, pas disa kërkesave, futja e mediave në sallë, dërgimi i çështjes në Kushtetuese, që sipas tij, gjyqtarja i hodhi poshtë arbitrarisht.
Pas miratimit të autorizimit nga Kuvendi për heqjen e lirisë së Sali Berishës, SPAK iu drejtua gjykatës në datën 22 dhjetor duke i kërkuar ashpërsimin e masës së sigurisë për ish-kryeministrin, i cili po hetohet për korrupsion pasiv në privatizimin e ish-klubit sportiv “Partizani”.